Kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën, kroati Davor Ivo Stier, në Euronews Albania ka folur për sulmin e 29 nëntorit në Varagë të Zubin Potokut. Ai ka thënë se mbështesin autoritetet në Kosovës për të hetuar rastin.
Ai shtoi se BE nuk do të lejojë në asnjë mënyrë destabilizimin e vendit.
“Ne shpërndamë deklaratën e delegacionit të Parlamentit Evropian për Kosovën dhe ishte një deklaratë e përbashkët me të emëruarin e parlamentit për marrëdhëniet Kosovë – Serbi dhe ne përsëritëm solidaritetin me të gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbështesim autoritetet atje për një hetim gjithëpërfshirës për këtë sulm terrorist dhe për dërgimin e personave përgjegjës para drejtësisë. Është shumë e rëndësishme të dërgojmë një mesazh solidariteti por edhe një mesazh të qartë se BE nuk do të lejojë në asnjë mënyrë destabilizimin e vendit”.
Stier u pyet edhe për Banjskën, për çka tha se Serbia duhet të nxjerrë personat përgjegjës para drejtësisë.
“Ne po insistojmë për faktin që autoritetet serbe duhet të nxjerrin personat përgjegjës për sulmin në Banjskë para drejtësisë dhe kjo është diçka që nuk është përfunduar. Ditën e djeshme ne bëmë një rekomandim të përbashkët për Parlamentin Evropian që të bëjë thirrje për autoritetet serbe që të bëjnë detyrat e shtëpisë, të bëjnë punën e tyre, të mbajnë përgjegjës personat e konsideruar si përgatitës të sulmit në Banjskë pasi kjo është shumë e rëndësishme jo vetëm për stabilitetin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë po për të gjithë sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Komisioni Evropian është angazhuar për të përdorur të gjitha mjetet që ka në dizpozicion për tu siguruar që Serbia ta bëjë detyrën e saj dhe të përmbushë të gjitha detyrimet dhe kjo përfshin edhe lejimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Këto janë të gjitha pjesë e përpjekjeve të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës”.
Ai përmendi edhe masat e BE’së ndaj Kosovës, për të cilat tha se duhet të hiqen dhe se kështu mendon edhe kryediplomatja e BE’së Kaja Kallas.
“Parlamenti Evropian ka qenë i qartë që në fillim, nuk mund të kemi një qasje jo të balancuar kundrejt Serbisë dhe Kosovës, nuk duhen masa të tilla ndaj Kosovës që nuk janë ndërmarrë as ndaj Serbisë pavarësisht sulmit në Banjskë. Rekomandimet që ne aprovuan ditën e djeshme kërkojnë serish që Bashkimi Evropian të heqë menjëherë çdo masë të vendosur ndaj Kosovës sepse ne duam të kemi një qasje të drejtë dhe të balancuar ndaj të dyja vendeve sepse ndryshe nuk mund të këtë një normalizim të marrëdhënieve mes tyre. Mund të them se komisionerja Kaja Kallas ndan të njëjtin opinion. Tani u takon vendeve anëtare që ta miratojnë këtë dispozitë dhe besoj se shumica e anëtarëve të parlamentit Evropian janë pro kësaj nisme”, tha ai.
Stier tha se administrata e re Trump nuk po shkon drejt qasjes për shkëmbim territoresh.
“Isha javën e kaluar në Uashington për mbledhjen e partive të djathta në unionin ndërkombëtar demokrat dhe takuam anëtarë të shumtë të kongresit dhe senatit amerikan. Përfshirë këshilltarin për siguri Mike Ëalls në administratën e re të Donald Trump. Nuk pashë, nuk konstatova që administrata e re të shkonte drejt kësaj qasjeje. Nuk ka interesin që të vendos paqe duke ushtruar forcën. Të njëjtën gjë komunikoi edhe Marco Rubio, senatori amerikan. Unë besoj që emërimi i tyre po tregon se në politikat e SHBA’së parashikohet…”, tha ai.