Escobar nga Beogradi demanton proponentët e Serbisë në Kosovë: Nuk i dhashë afat Kurtit

3 minutes, 27 seconds Read

I dërguari i ShBA-së për ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nga Beogradi ka thënë se me këtë qeveri ose me të ardhshmen, Asociacioni do të bëhet. Teksa ka komentuar kërkesat për zgjidhjen e situatës në veri, emisari amerikan ka thënë se nuk i ka dhënë afat Kurtit.

Tri kërkesa i janë paraqitur kryeministrit Albin Kurti, nga Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, për zgjidhjen e krizës në veri të vendit.

De-eskalimi i situatës në terren, shpallja e zgjedhjeve të reja për katër komunat veriore dhe rikthimi në tryezën e dialogut, i ka në tavolinë kryeministri Kurti.

Por, për këto kërkesa, i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se nuk i ka dhënë afat, kreut të ekzekutivit kosovar.

“Nuk kam dhënë një afat. Ajo që më pyetën në Prishtinë ishte se cilët ishin hapat e mëtejshëm dhe nga unë dhe z. Lajcak pas kësaj vizite do të kërkohet një përditësim të premten, Shtëpia e Bardhë do të kërkojë nga unë të jap një përditësim se çfarë po ndodh dhe unë duhet të raportojë nëse kemi progres apo jo. z. Lajcak duhet të shkojë dhe të raportojë te zoti Borrell për të dhënë të njëjtin vlerësim. Pra, nuk është një afat, por ky është hapi tjetër për mua, dhe në bazë të raportit tim, ne do të marrim disa vendime për të ecur përpara, por nuk është një afat për askënd”, deklaroi Escobar.

Megjithatë, nga Beogradi, emisari amerikan paralajmëroi se Asociacioni do të formohet me qeverinë aktuale të drejtuar nga Albin Kurti ose me ndonjë qeveri të ardhshme.

“Unë thjesht po them një fakt, asociacioni është një kërkesë ligjore për qeverinë e Kosovës, është në Marrëveshjen e Brukselit, është në Bashkimin Evropian, në konkluzionet e Këshillit Evropian, është në marrëveshjen e Ohrit, pra nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë, por është marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, në një moment, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara në integrimin e saj euroatlantik, do të duhet të formojë Asociacionin. Pra, Asociacioni do të ndodhë, pyetja është a do të ndodhë me këtë qeveri apo një qeveri të ardhshme?”, u shpreh Escobar.

Escobar theksoi se t’i kthesh shpinën këtij propozimi është t’ia kthesh shpinën Evropës, Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuara dhe të gjithë miqve të tjerë.

“Për sa i përket pasojave, unë e kam nënvizuar njërën që është ajo që tha Bashkimi Evropian, t’i kthesh shpinën një propozimi evropian do të thotë t’i kthesh shpinën Evropës, por më duhet të theksoj se ky nuk është vetëm Bashkimi Evropian, por edhe Mbretëria dhe Shtetet e Bashkuara, dhe si miq të Kosovës ne po i inkurajojmë ata të bashkëpunojnë, të koordinohen dhe të rreshtohen me përpjekjet tona për të prodhuar stabilitet rajonal”, deklaroi emisari.

Emisari amerikan deklaroi se sfida e Serbisë është që të bind serbët të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës.

“Unë mendoj se sfida më e madhe për Serbinë është të bindë serbët në Kosovë që të kthehen në institucione. Tani këtu mendoj se jemi në të njëjtën anë me Serbinë. Duhet të sigurohemi që ata që marrin pjesë në zgjedhje”, tha Escobar.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor deklaroi se presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka premtuar se do të përdorë ndikimin e tij për të bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.

Escobar u shpreh se shumë gjëra mund të arrihen këtë vit nëse Kosova dhe Serbia fokusohen të zbatimi i marrëveshjes së 27 shkurtit dhe aneksit të dakorduar në Ohër më 18 mars.

Publikime te ngjashme