Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u ka bërë thirrje vendeve islame të tregojnë solidaritet dhe të bashkohen për t’u përballur me veprimet e Izraelit, të cilin e akuzoi për krijimin e pasigurisë rajonale dhe globale.
Gjatë fjalimit të tij në Sesionin e 51-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), Erdogan bëri krahasime të ashpra historike. Ai e krahasoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, me Adolf Hitlerin dhe deklaroi se kushtet në Gaza, ku dy milionë banorë po përballen me një krizë të thellë prej 21 muajsh, janë më të rënda se ato në kampet naziste.
Presidenti turk gjithashtu paralajmëroi kundër përpjekjeve për të imponuar një “rend të ri Sykes-Picot” në Lindjen e Mesme, duke iu referuar marrëveshjes sekrete të vitit 1916 që ndau rajonin mes fuqive perëndimore.
“Ne nuk do të lejojmë vendosjen e një rendi të ri Sykes-Picot me kufij të vizatuar me gjak,” theksoi Erdogan, raporton lajmishqip.