Kuota gjinore i ka lënë pa ulëse në Kuvend 7 burra, prej tyre 3 kandidatë nga lista e Partisë Demokratike të Kosovës, 2 nga lista e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një nga Lista Serbe dhe një nga KDTP-ja.
Te Partia Demokratike e Kosovës jashtë Kuvendit si pasojë e kuotës gjinore kanë mbetur deputetët Bekim Haxhiu, Hajdar Beqa dhe Jakup Nura. Në vend të tyre në Kuvend do të jenë Blerda Deliu-Kodra, Arian Musliu-Shoshi dhe Arbënore Salihu.
Edhe te AAK-ja dy deputete gra kanë hyrë në Kuvend me kuotë. Time Kadijaj do të jenë deputete edhe pse Agim Çeku ka marrë mbi 1400 vota më shumë se ajo. Deputete nga kjo parti do të jetë edhe Albana Bytyqi e cila ka më pak vota se kandidatët Burim Ramadani, Arbër Tolaj, Lahi Brahimaj dhe Pal Lekaj.
Edhe te Lista Serbe Verica Çeraniq ka hyrë në Kuvend edhe pse ka më pak vota se Branislav Nikoliq.
Te partia turke KDTP që ka siguruar dy vende në Kuvend, Fatma Taçi është zgjedhur deputete edhe pse ka më pak vota se Ergul Mazrek.
Te Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës asnjë deputete nuk ka hyrë në Kuvend me kuotë gjinore.
Kuota gjinore 30% për përfaqësimin e grave në Parlamentin e Kosovës u vendos për herë të parë nga UNMIK-u në vitin 2000 përmes një rregulloreje që kërkonte që të paktën 30% e kandidatëve në listat zgjedhore të ishin gra. Kjo masë u aplikua në zgjedhjet pasluftës dhe ishte një prej mekanizmave fillestarë për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë në nivelet qendrore dhe lokale.
Më tej, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i miratuar në vitin 2008 përfshiu përcaktimin e kuotës gjinore prej 30% në listat zgjedhore, dhe institucionalizuar kështu këtë kuotë në sistemin zgjedhor të Kosovës.
Në vitin 2010, ligji u përforcua me amendamente që sqarojnë vendosjen e kuotës dhe mekanizmat e zbatimit, duke siguruar që të paktën 30% e atyre që zgjidhen nga listat të jenë të gjinisë së nën-përfaqësuar, përmes riorganizimit të listave në rast të nevojës.





