Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq për përdorimin e grupit të organizuar kriminal të Milan Radoiçiqit për të shtypur protestat studentore të 28 qershorit në Beograd. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Musliu, i cili drejton Institutin “Octopus”, ka denoncuar atë që ai e përshkruan si një regjim autoritar të bazuar në dhunë dhe aleanca me krimin.
Sipas tij, Vuçiq jo vetëm që toleron aktivitetin e grupit të Radoiçiqit brenda Serbisë, por edhe e ka mobilizuar atë për të sulmuar protestuesit që kërkojnë reforma demokratike. Musliu e cilëson këtë një “paradoks tronditës”, duke theksuar se ndërkohë që Radoiçiq kërkohet nga drejtësia në Kosovë për krime të rënda, në Serbi ai shërben si një mjet për mbrojtjen e pushtetit.
Ai paralajmëron se i njëjti grup që kreu sulmin terrorist në Kosovë, tani po përdoret kundër studentëve serbë dhe po mbahet në gatishmëri për sulme të tjera, kudo dhe kurdo që i nevojitet regjimit. Kjo, sipas tij, paraqet një kërcënim serioz për stabilitetin e të gjithë rajonit dhe krijon një precedent të rrezikshëm për liderë të tjerë autoritarë në Ballkan.
Musliu e quan të papranueshme që në vitin 2025, në zemër të Evropës, një qeveri të bashkëpunojë me “elemente terroriste dhe krimin e organizuar” për të shtypur zërin qytetar dhe për të sulmuar shtetet fqinje. Për këtë arsye, ai përfundon duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për një reagim të fuqishëm, duke argumentuar se heshtja e mëtejshme vetëm sa inkurajon regjimin e Vuçiqit dhe grupet kriminale që ai i shfrytëzon, raporton lajmishqip.