Ekspertët ndërkombëtarë kanë hedhur dritë mbi natyrën e dronëve rusë që shkelën hapësirën ajrore të Polonisë, duke i identifikuar si mjete të lira “karrem” të dizajnuara për të testuar dhe shpërqendruar mbrojtjen ajrore. Analistë të kontaktuar nga BBC-ja, bazuar në imazhet e një droni të gjetur pranë fshatit polak Czosnówka, konfirmuan se bëhet fjalë për një mjet ajror pa pilot të tipit ‘Gerbera’.
Sipas Justin Crump, shef ekzekutiv i kompanisë së inteligjencës Sibylline, ‘Gerbera’ është “një mënyrë e lirë për të rritur aftësinë e dronëve të tjerë”. Ai shpjegoi se Moska i përdor rregullisht këta dronë si joshje, në kombinim me dronët më të fuqishëm sulmues si Shahed/Geran-2, gjatë sulmeve ndaj objektivave në Ukrainë.
Interesant është fakti se disa nga dronët u gjetën të paprekur. Justin Bronk, analist në Institutin Mbretëror (RUSI), i tha BBC-së se kjo ka gjasa të ketë ndodhur sepse atyre u ka mbaruar karburanti, dhe jo sepse janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore. Megjithatë, të dy analistët bien dakord se shkalla e inkursionit, ku zyrtarët polakë raportuan për 19 dronë, tregon se ky ishte një akt i qëllimshëm nga ana e Rusisë për të provokuar dhe mbledhur informacion. /lajmishqip.net