Ekskluzive: Ish-drejtori i QPS-së dhe shefja e shërbimeve sociale në Prishtinë, janë dy të ndaluarit për keqpërdorim të pozitës

1 minute, 21 seconds Read

Dy zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, të cilët kanë qenë objekt hetimi nga Krimet Ekonomike janë ndaluar sot me urdhër të Prokurorit të Shtetit, nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën. Të njëjtit dyshohen se punësuan kundërligjshëm 10 persona në këtë institucion.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht nga burimet brenda Prokurorisë se bëhet fjalë për ish-drejtorin e QPS-së, Vehbi Mujkun dhe për Valbona Makiqin, shefe e Njësisë së Shërbimeve Sociale në katë qendër.

Prokuroria sot ka njoftuar se ata dyshohet se kanë punësuar rreth 10 persona në mënyrë të kundërligjshme dhe se njërin nga këta persona e kanë punësuar si menaxhere për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale.

Të njëjtat burime thonë se bëhet fjalë për rastin e 11-vjeçares, për të cilin ishte caktuar një grua si menaxhere, që sipas Prokurorisë nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm.

Dy zyrtarët e kësaj qendre do të hetohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme hetimore lidhur me këtë çështje penale.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali

Publikime te ngjashme