Ekskluzive: Fundi i përgjakshëm i “El Mencho” dhe kaosi që paralizoi Meksikën

3 minutes, 1 second Read

Kompanitë ajrore kanë anuluar fluturimet dhe Departamenti Amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të tij që të mbrohen në vendstrehime këtë të diel, pas shpërthimit të dhunës së ashpër në Meksikën perëndimore si pasojë e një operacioni ushtarak ku mbeti i vrarë një lider tejet i fuqishëm i drogës.

Southwest dhe Alaska Airlines konfirmuan pezullimin e udhëtimeve për në dhe nga Puerto Vallarta, ndërsa Delta Air Lines ka ofruar opsione fleksibile për pasagjerët që fluturojnë drejt këtij destinacioni apo Guadalajaras.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

Edhe kompania Air Canada ka ndërprerë përkohësisht fluturimet në aeroportin e Puerto Vallarta, duke e përshkruar gjendjen si një “situatë kritike të sigurisë”.

Departamenti i Shtetit ka lëshuar një alarm urgjent sigurie duke këshilluar amerikanët në shtetet Jalisco, Tamaulipas, Michoacan, Guerrero dhe Nuevo Leon që të qëndrojnë brenda deri në një njoftim të dytë, njoftojnë mediat e huaja.

Trazirat masive pasuan një aksion të forcave meksikane që rezultoi me eliminimin e Nemesio Ruben Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, kreu i Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco (CJNG), sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Ai u plagos rëndë gjatë një bastisjeje në qytetin Tapalpa të shtetit Jalisco dhe ndërroi jetë derisa po transportohej me urgjencë drejt Meksiko Sitit.

Zëvendëssekretari i Shtetit i SHBA-së, Christopher Landau, e konfirmoi vdekjen e tij, duke e cilësuar Oseguera Cervantes si “një nga bosët më gjakatarë dhe më brutalë të drogës” në botë.

Ky operacion pasoi me bllokime të gjata rrugore dhe djegie të automjeteve në të gjithë shtetin Jalisco dhe rajonet përreth, një taktikë kjo që kartelet e përdorin rëndom për të sabotuar lëvizjet e ushtrisë.

Autoritetet raportuan se trupat u përballën me breshëri armësh gjatë aksionit, ku mbetën të vrarë katër persona në vend, ndërsa tre të tjerë, përfshirë “El Mencho”, vdiqën më vonë nga plagët e marra.

Në këtë operacion u arrestuan dy të dyshuar dhe u konfiskuan mjete të blinduara, raketahedhës e armatim të rëndë, derisa mbetën të plagosur edhe tre ushtarë.

Guvernatori i Jalisco-s, Pablo Lemus Navarro, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme nën “kodin e kuq”, duke ndalur transportin publik dhe duke kërkuar nga banorët që të mos dalin nga shtëpitë e tyre.

Karteli CJNG njihet si një nga organizatat më të tmerrshme kriminale në Meksikë dhe luan rol kyç në trafikimin e fentanilit dhe substancave të tjera drejt tregut amerikan.

Oseguera Cervantes, 59-vjeçar, kishte një karrierë të gjatë në trafikun e drogës që nga vitet ’90 dhe ishte një nga themeluesit e këtij karteli rreth vitit 2007.

Ky grup kriminal është i njohur për agresivitetin e skajshëm ndaj forcave të rendit, duke përdorur drone me eksplozivë, mina dhe madje duke tentuar vrasjen e shefit të policisë së Meksiko Sitit në vitin 2020.

Agjencia Amerikane kundër Drogës (DEA) e radhit CJNG-në në të njëjtin nivel rrezikshmërie me kartelin Sinaloa, me shtrirje operative në të gjitha 50 shtetet e SHBA-së.

Mbi “El Mencho” rëndonin disa aktakuza në SHBA, ku Uashingtoni kishte vënë një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për çdo informacion që do të çonte në prangosjen e tij.

Në shkurt të vitit 2025, administrata Trump e klasifikoi këtë kartel si organizatë terroriste të huaj, për shkak të përfshirjes në trafik fentanili, zhvatje, kontrabandë me emigrantë dhe tregti të paligjshme armësh./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme