Edi Rama me frymën që e karakterizon do të shumëfishojë përpjekjet e tij për ndarjen e Kosovës.

4 minutes, 50 seconds Read

NGA PROF. DR. ENVER BYTYÇI

Në historinë tonë e të vendeve të tjera ka ndodhur gjithmonë që politikanët e liderët të bëjnë kompromise për të ruajtur e mbajtur sa më gjatë pushtetin. Ka ndodhur si në kohën e diktatorit Hoxha që të likuidohen një pas një të gjithë kundërshtarët frikshëm! Ka ndodhur të lidhen aleanca me një fuqi të madhe në këmbim të favorit për mbështetjen e saj për ta marrë ose për të qëndruar gjatë në pushtet! Ka të tjerë që kanë zhvilluar luftëra civile për ta mbajtur me dhunë pushtetin. Ndërkohë socialistët shqiptarë kanë trashëguar nga paraardhësit moton “Pushteti merret me pushkë dhe mbrohet me pushkë”! Gjithçka është bërë për ta mbajtur pushtetin. Në mesjetë sulltanët eliminonin vëllezërit e tyre, me qëllim që ta trashëgonin pushtetin te fëmija. Ndërsa mbretërit evropianë vrisnin pjesëtarët e familjes me qëllim mbrojtjen e pushtetit të tyre.

Deri më sot nuk gjendet asnjë rast në botë, nuk është shënuar asnjë provë në tekstet e historisë, kur një perandor, mbret apo sulltan, një kryetar shteti apo një kryeministër të ketë nxjerrë vendin e tij në ankand, jo për ta shitur, por për ta falur, në këmbim të mbështetjes së qëndrimit të tij në pushtet! Ky rast, i pari në histori, është dhe do të mbetet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai e nisi me faljen e veriut të Kosovës – Serbisë. E vazhdoi me faljen sërishmi Serbisë të tregut shqiptar. Më pas u investua në faljen e detit – Greqisë. Pasi e kishte çuar marrëveshjen e paraardhësit të tij në Gjykatë Kushtetuese dhe pasi e kishte garantuar Athinën se kur të vinte në pushtet do t’i japë jo 6 milje, por 12 milje!

Ndërkohë i dha Italisë territor shqiptar për të strehuar refugjatët afrikanë, që nisen për të shkuar në shtetin tonë fqinjë. Butrintin ua dha Rotçilldëve e Durrësin Alabarit të Dubait. Tani ka vendosur që Sazanin, Zvërnecin e ndonjë zonë tjetër t’ia japë dhëndërrit të Donald Trump, zotit Jared Kushner. Si ndërmjetës ka paguar ambasadorin Richard Grennell, të cilin vjeshtën e vitit të kaluar presidenti i Serbisë e dekoroi me dekoratën më të lartë “Urdhrin e Flamurit të Serbisë”! E ka paguar dhe e ka lutur Grennellin që ta bindë Kushnerin të marrë Sazanin e Zvërnecin në Vlorë. Sorosit i ka dhënë naftën dhe pasuri të pafund të shënuara në emra të ndryshëm. Nuk e dimë se çfarë-kujt do t’i japë nesër! Dhe të gjitha falas, pas asnjë cent në këmbim. Mijëra e miliona metra katror të Shqipërisë Edi Rama i fal, i shet dhe i blen, si të ishte prona e tij. Ka vënë në resht deputetët e Rilindjes dhe gjithçka e fal “me ligj” të parlamentit! E gjitha në këmbim të mbështetjes për të qëndruar në pushtet dhe për t’u amnistuar për krimet e rënda korruptive e mafioze.

Këto akte janë unike në historinë e shteteve. Unike edhe se kryeministri ynë u lutet të huajve ta marrin një copë Shqipëri, ua servir atë me shumë pijar. Harxhon aq shumë para për t’ua reklamuar e për t’i joshur botën e fuqishme për ta pranuar plaçkën e falur prej kryeministrit tonë. Paguan lobues që personalitetet me ndikim në botë të pranojnë plaçkën made in Albania. Ndërsa ne shqiptarëve të gjithën na e shet në emër të zhvillimit e progresit. Kështu bëri sot në mbledhjen e asamblesë së Rilindjes. Madje na shet mend kur na thotë se “Unë jam tre hapa para” atyre që duan ta mbrojnë Shqipërinë nga ky lloj makrabriteti!

Nga veprimet që shohim dhe faktet që janë në dritë të diellit për veprimtarinë e kryeministrit shqiptar në dobi të gjithkujt, edhe të Serbisë, me qëllim forcimin dhe mbajtjen e pushtetit të tij, mund të thuhet pa droje se Edi Rama përbën rrezik serioz kombëtar. Ai është i vetmi lider europian e më gjerë, që votën e vjedhur të qytetarëve e përdor sikur të jetë feudal dhe latifondist i tokave dhe pronave të shqiptarëve. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e gjetkë. Nëse ne nuk e kuptojmë këtë rrezik serioz, të papërsëristshëm në histori, atëherë shumë shpejt do të shohim se si pronat e tokat tona do të bëhen pronë e gjithkujt në botë, ndërkohë që ne do të shndërrohemi në skllevërit e atyre që marrin falas llokmat e mëdha të territorit të Shqipërisë.

Ndërsa Kosova duhet të shqetësohet akoma më shumë. Edi Rama me frymën që e karakterizon do të shumëfishojë përpjekjet e tij për ndarjen e Kosovës. Richard Grenell tashmë nuk do të jetë aktiv vetëm në lobim të Aleksandër Vuçiq, por edhe të Edi Ramës. Së paku liderët e Kosovës duhet të refuzojnë çdo firmë dhe ta mbrojnë vendin me çdo çmim. Autoritetet e Kosovës, edhe ata që ende i besojnë kryeministrit të Shqipërisë, do të duhet të kenë shumë kujdes në marrëdhëniet me të dhe nga sjelljet e tij për Kosovën. Më e pakta do të ishte ta izolojnë atë e t’ia ndalojnë të merret me fatin e Kosovës!

Publikime te ngjashme