Procesi i numërimit të votave të rregullta me postë që kanë arritur deri më tani në Kosovë ka përfunduar zyrtarisht. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i ka mbetur për të proceduar vetëm edhe 3,185 pako me fletëvotime, të cilat pritet të mbërrijnë gjatë ditës së sotme në Qendrën e Numërimit.
Referuar të dhënave të fundit të përmbledhura nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 51.01% të votave, duke siguruar 57 mandate në legjislaturën e re. Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 20.24% apo 22 ulëse, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.26% që përkthehen në 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbetet në kuotën e 5.50% me 6 mandate parlamentare.
“Pritet që brenda ditës të sillen në Kosovë edhe 3,185 pako me fletëvotime, të cilat janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga qendrat postare në Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125) dhe Otavë (404)”, ka bërë të ditur KQZ-ja përmes një njoftimi zyrtar lidhur me dërgesat që priten sot./lajmishqip.net
