Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar sot katër persona në Prishtinë, të njëjtit u kapën gjatë një aksioni kundër “Fajdes”.
Gjatë aksionit që u zhvillua në orët e hershme të mëngjesit, u sekuestruan edhe armë, para, vetura dhe bimë narkotik,raporton Ballkani.info.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, sot me datë 19.07.2024 ka realizuar një operacion policor në luftën kundër veprave penale Fajde dhe Detyrim.
Gjatë hetimit të këtij rasti janë arrestuar katër persona të dyshuar, janë kryer kontrolle si dhe janë gjetur e sekuestruar prova të ndryshme materiale. Kontrollet janë kryer në katër lokacione të ndryshme në komunën e Prishtinës, me ç’rast janë sekuestruar dëshmi të ndryshme materiale si: armë, para, dokumente, vetura, bimë narkotike etj”, bëhet e ditur në njoftim.