Dogana e Kosovës të enjten ka njoftuar për atë që e kanë quajtur sukses historik, duke mbledhur për mbi 1 miliard euro të hyra deri në gusht të këtij viti.
Që nga themelimi i Doganës (1999), sipas njoftimit, është hera e parë që në periudhën janar-gusht arrihet kjo shumë.
“Dogana e Kosovës ka arritur një sukses historik duke mbledhur mbi 1 miliard euro të hyra. Kjo arritje përfaqëson një pikë të rëndësishme për institucionin dhe për ekonominë e vendit tonë, duke reflektuar përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar proceset dhe për të rritur efikasitetin e shërbimeve tona”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Për këtë rritje, Dogana ka thënë se ka pasur “kombinim faktorësh”.
“Ky rekord i ri është rezultat i një kombinimi faktorësh, duke përfshirë: Përmirësimin e procedurave Doganore: Implementimi i sistemeve të reja dhe teknologjive për të thjeshtuar dhe shpejtuar proceset doganore ka luajtur një rol kyç në arritjen e këtij suksesi. Lufta kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal: Masat e intensifikuara dhe bashkëpunimi me agjencitë tjera të zbatimit të ligjit kanë kontribuar në uljen e kontrabandës dhe evazionit fiskal, duke rritur të hyrat. Transparenca dhe edukimi publik: Rritja e ndërgjegjësimit publik dhe edukimi i qytetarëve dhe bizneseve për rëndësinë e përputhshmërisë me ligjet doganore ka rezultuar në një përputhshmëri më të lartë dhe, rrjedhimisht, në të hyra më të larta”, vijon njoftimi.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu, sipas njoftimit shprehu mirënjohjen për stafin e Doganës dhe për partnerët strategjikë që kanë ndihmuar në arritjen e këtij suksesi.
“Ky është një moment i rëndësishëm për Doganën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e vendit tonë, mbledhja e 1 miliard eurove të hyra është dëshmi e punës së palodhshme, përkushtimit dhe profesionalizmit të Doganës së Kosovës”, ka thënë Llugaliu, sipas njoftimit.