“Dodik nuk i do shqiptarët në Bosnje dhe Hercegovinë”

2 minutes, 17 seconds Read

Më 23 shkurt të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjet për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Lëvizja e lirë për qytetarët ishte njëra nga tre marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit.

Megjithatë, kosovarët edhe sot e kësaj dite nuk mund të lëvizin vetëm më letërnjoftim në Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo për shkak të politikanëve serbë nga Republika Serbe e Bosnjës, të cilët po kundërshtojnë ratifikimin e kësaj marrëveshje.

E njohësi i çështjeve politike për Ballkanin Perëndimor, Adi Cerimagiq, tregon arsyet pse Presidenti i Republikës Serbe, Millorad Dodik po vepron në këtë mënyrë.

“Situata është shumë e qartë. Politikanët serbë që po e bllokojnë ratifikimin e kësaj marrëveshje po e bëjnë për shkak të Serbisë. Arsyeja tjetër ka të bëjë me marrëdhëniet komplekse që ka Presidenti i Republikës Srpska, Mirollad Dodik me qeverinë gjermane. Këta të fundit kanë vënë masa ndëshkuese ndaj tij, prandaj ai po vepron në këtë formë për t’i kundërshtuar ata. Është e çuditshme mënyra se si vepron Mirollad Dodik. Ai dëshiron në një farë forme të tregoj se është një serb më i madh se Aleksandër Vuçiq- krejtësisht bizare. Me të vërtetë është për keqardhje sepse janë qytetarët ata që po i vuajnë pasojat duke mos pasur mundësi të lëvizin të lirë”, vlerësoi Cerimagiq.

Kurse analisti politik, Darko Brkan, nuk pret që as në të ardhmen e afërt të ndryshoj kjo qasje e politikanëve serbë të krahut djathtë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sipas tij, vetëm nëse do të ketë presion nga Bashkimi Evropian, kjo marrëveshje do të mund të ratifikohej.

“Kjo qasje nuk është diçka e re. Kështu kanë vepruar për një kohë të gjatë politikanët e krahut të djathtë serb. Ata mendojnë se Bosnja duhet të jetë vendi i fundit që merr ndonjë vendim për çështjet që ndërlidhen me Kosovën. Madje, ata dëshirojnë të tregojnë se janë edhe me radikalë se vet serbët në Serbi për Kosovën. Unë mendoj që situata do të vazhdoj të jetë e njëjtë edhe në të ardhmen, derisa nuk ka ndonjë presion më të madh nga Bashkimi Evropian”, tha Brkan.

Përveç Presidentit të Republikës Serbe të Bosnjës, Mirollad Dodik, edhe anëtarja e Kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zeljka Cvijanoviq, kundërshton lëvizjen e lirë të kosovarëve në këtë shtet.

Publikime te ngjashme