Dodik ju flet serbëve përmes “Sputnikut” rus, kërcënon me krijimin e Serbisë së madhe

2 minutes, 47 seconds Read

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka thënë se “është e nevojshme t’i kthehet Mali i Zi ‘qenies kombëtare serbe’, sepse padyshim ai i përket atje”, derisa një gjë të njëjtë e ka pretenduar edhe për Kosovën.

Dodik, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar për shkak të veprimeve të tij de-stabilizuese në BeH, ka thënë se në këtë shekull serbët “duhet të formojnë një shtet të vetëm, pjesë e të cilët do të jetë edhe Mali i Zi”.

Sipas presidentit autoritar të RS-së, duhet të mbahet një “kuvend i madh mbarëserb”, nga i cili do të përcillet një mesazh i tillë dhe shtoi se ky shtet i bashkuar “duhet të formohet me mjete demokratike dhe me masa politike, jo me luftë”.

“Ne po jetojmë në një epokë kur pas disa vitesh apo dekadash do të duhet të krijohet një konfigurim i ri i botës, serbët nuk duhet të ngelen në sy, por tani duhet të themi se në këtë shekull duam një shtet të vetëm të përbërë nga Serbia, Republika Srpska, nëse është vendim demokratik, dhe Mali i Zi”, ka thënë Dodik për median propaganduese ruse, e ndaluar në Bashkimin Evropian, “Sputnik”.

I pyetur nëse mendon se Serbia do të ketë sukses në çështjen e Kosovës, ai theksoi se politika kombëtare dhe shtetërore serbe duhet të mbetet e përkushtuar ndaj kësaj çështjeje.

“Më duhet të them se [Aleksandar] Vuçiq e ktheu këtë çështje në skenën ndërkombëtare përmes procesit të negociatave, por edhe përmes procesit të tërheqjes së njohjeve të Kosovës nga një numër i konsiderueshëm shtetesh”.

“Mendoj se duhet t’i përmbahemi zgjidhjes korrekte dhe të qëndrueshme, dhe kjo nuk është në interes të Britanisë dhe Amerikës. Zgjidhja e vetme është Republika Srpska, Serbia dhe territoret serbe, Kosova dhe sigurisht kthimi i Malit të Zi në entitetin kombëtar serb, sepse padyshim që i takon”, pretendon Dodik.

Sipas pretendimeve të autoritarit Dodik, kjo është diçka “që duhet respektuar si një interes i fortë kombëtar serb në këto zona dhe të mos injorohet deri në atë masë sa të rrëmbehet dhe që serbët janë fajtorë sepse nuk e pranojnë ekzekutimin e tyre”.

Mali i Zi ka qenë një nga gjashtë republikat në kuadër të Jugosllavisë.

Është vendi i fundit që është shkëputur nga ky konfiguracion. Për dallim nga pjesa më e madhe e shteteve përbërëse të ish-Jugosllavisë, Mali i Zi, shkëputjen e bëri përmes referendumi, jo me luftë.

Lëvizjen për referendum e udhëhoqi, ish-kryeministri dhe ish-presidenti malazez, Milo Gjukanoviq.

Në referendumin e vitit 2006 pro pavarësimit të Malit të Zi kishin votuar 55.5 për qind e qytetarëve të Malit të Zi, pra pak më shumë se limiti që ishte për të fituar pavarësinë, 55 për qind.

Në këtë proces, rol të madh kishin luajtur shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi. Ata në shumicë dërrmuese e kishin mbështetur pavarësimin e Malit të Zi.

Publikime te ngjashme