“Dhjetëra miliona” njerëz në të gjithë botën kanë gjetur zgjidhje teknike për t’iu qasur në mënyrë sekrete aplikacionit të bisedave, WhatsApp, në shtetet ku është i ndaluar, ka thënë shefi i platformës.
“Do të befasoheshit se sa njerëz kanë gjetur zgjidhje”, ka thënë Will Cathcart për BBC-në.
Sikur shumë aplikacione nga shtetet perëndimore, WhatsAppi është i ndaluar në Iran, Kore të Veriut e Siri. Muajin e shkuar, Kina iu bashkua listës duke ua ndaluar njerëzve t’i qasen platformës. Shtete të tjera si Katari, Egjipti, Jordania e Emiratet e Bashkuara Arabe nuk lejojnë thirrje me zë. Por WhatsAppi ka thënë se mund ta shohë ku i ka përdoruesit, bazuar në numrat e telefonave.
“Kemi shumë raporte të njerëzve që përdorin WhatsAppin dhe ajo që mund të bëjmë është të shohim shtetet ku jemi të bllokuar dhe ka ende dhjetëra miliona njerëz të lidhur me WhatsAppin”, ka thënë Mathcart.
Kina në prill ua ndaloi përdoruesve të iPhoneve të marrin WhatsAppin. E përdoruesit e Androidit mund ta marrin aplikacionin, përmes rrugëve jozyrtare.
Sipas Cathcartit, rritja e përdorimit të rrjeteve private virtuale (VPN), WhatsAppi mbetet i qasshëm gjithandej.
WhatsAppi konsiderohet një nga aplikacionet e sigurta të bisedave, pasi vetëm dërguesi i mesazhit dhe marrësi mund ta lexojnë përmbajtjen.