Dëshmi tronditëse nga e kaluara: Si u shkatërruan mbi 800 xhami në Kosovë dhe Bosnjë si pjesë e një plani shfarosës

1 minute, 30 seconds Read
Banner Description

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Bosnjë e Hercegovinës, ka hapur ekspozitën fotografike me titull “Kujtesa në fotografi – xhamitë e shkatërruara në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë gjatë viteve ’90 – sakralocid i planifikuar”.

Në këtë ngjarje u shpalosën të dhëna alarmante ku u bë e ditur se gjatë luftërave të fundit në të dyja vendet u rrafshuan gjithsej 832 xhami. Nga ky bilanc tragjik, 218 xhami u shkatërruan në Kosovë, ndërsa 614 të tjera në Bosnjë dhe Hercegovinë.

I pranishëm në hapje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se shkatërrimi i qëllimshëm i trashëgimisë kulturore është cilësuar edhe në aktgjykimet e Tribunalit të Hagës si krim kundër njerëzimit.

Kurti nënvizoi se vetëm gjatë periudhës 1998-1999 janë shkatërruar 1,788 monumente të trashëgimisë kulturore, janë grabitur mbi 3,700 objekte muzeale dhe janë asgjësuar 175 biblioteka publike. Sipas tij, kjo ekspozitë dokumenton qartë se goditja ndaj objekteve të kultit ishte pjesë e një strategjie për fshirjen e identitetit historik dhe kulturor të popullit shqiptar.

Ndërkaq, myftiu i Kosovës, Naim Tërrnava, theksoi se regjimi serb, krahas vrasjeve dhe dëbimeve masive, ndërmori një fushatë sistematike për zhdukjen e trashëgimisë fetare, duke rrënuar xhami me vlera të rralla arkitekturore dhe identitare.

Lidhur me këtë foli edhe i dërguari i Rijasetit të Bosnjës, Remzija Pitic, i cili shtoi se këto objekte u goditën qëllimisht për të eliminuar simbolet më të fuqishme fetare.

Në përfundim të aktivitetit, kryeministri Kurti u pyet nga gazetarët lidhur me largimin e komunave veriore nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, por ai zgjodhi të mos përgjigjej. /kosovapress.net

Publikime te ngjashme