Deputeti Gjerman thotë se Kosova po trajtohet padrejtësisht nga BE-ja

1 minute, 59 seconds Read

Deputeti i Bundestagut gjerman, Knut Abraham, thotë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës janë të padrejta. Sipas politikanit konservator, Beogradi mban më shumë përgjegjësi për krizën e krijuar në veriun e Kosovës.

Pajtohet plotësisht me atë se çfarë është shkruar në letrën që iu është dërguar zyrtarëve të lartë të Brukselit dhe Uashingtonit, ku kërkohet një qasje më e balancuar në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Madje deputeti i Bundestagut gjerman, Knut Abraham, thotë se edhe vetë do ta nënshkruajë atë letër, pasi vlerëson se Kosova po trajtohet padrejtësisht në raport më Serbinë.

“Unë nuk po shoh një qasje të balancuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj edhe pajtohem plotësisht me atë që është shkruar në letrën që u është dërguar ditë më parë zyrtarëve të lartë të Brukselit dhe Uashingtonit. Edhe unë e kam pranuar atë letër dhe së shpejti do ta nënshkruaj”, thotw deputeti gjerman.

Tutje Abraham shprehet shumë i shqetësuar me retorikën e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Sipas tij, Beogradi ka shumë më shumë përgjegjësi për krizën e krijuar në veriun e Kosovës.

“Jam shumë i shqetësuar me retorikën që po e përdor Beogradi dukë thënë se në Kosovë po kryhet spastrim etnik ndaj serbëve. Kjo është me të vërtetë e pabesueshme. Nuk po them se Prishtina nuk ka fare përgjegjësi për tensionet në veri, por vetëm kujtoni pak se kush i nxiti ato protesta të dhunshme dhe si u mbajtën peng policët e Kosovës. Nuk do të ketë zgjidhje të qëndrueshme derisa në vazhdimësi i bëhet presioni vetëm palës më të dobët. Prandaj, mendoj se Bashkimi Evropian do të vepronte mirë nëse sa më shpejtë vendos t’i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës”, shprehet ai.

Krerët shtetëror të Kosovës kanë kërkuar nga blloku evropian t’i heqin masat ndëshkuese, por në Bruksel ende nuk janë bindur për një gjë të tillë.

Që kur filluan tensionet në muajin maj kanë munguar takimet e nivelit të lartë mes kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Publikime te ngjashme