Të mërkurën, radioja publike gjermane “Deutschlandfunk” ka transmetuar një reportazh të thelluar mbi tensionet fetare në Kosovë, duke vënë në pah se si grupet radikale po cenojnë paqen sociale.
Në këtë material audio prej afro 20 minutash, vëmendjen e ka tërhequr një deklaratë e fortë dhe përçarëse e Vikarit Gjeneral të Dioqezës Prizren-Prishtinë, Shan Zefi. Gjatë prononcimit të tij për radion gjermane, kleriku katolik është shprehur: “Si mysliman nuk ke shpirt shqiptar”.
Kjo deklaratë, e cila ka ngjallur polemika të menjëhershme, u përkthye dhe u shpërnda për publikun shqiptar nga gazetari Enver Robelli.
Vlen të theksohet se Shan Zefi ka qenë në qendër të kritikave edhe në të kaluarën për komente me përmbajtje të ngjashme fyese ndaj komunitetit mysliman. Megjithatë, asokohe ai ishte shfajësuar duke pretenduar se ato nuk ishin shkruar nga profili i tij i vërtetë në rrjetet sociale./lajmishqip.net
