Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, pretendon se informacionet për deklaratën e Artan Hajrizit se “vëllai i tij i ka marrë dokumentet” janë të rreme.
Sipas Daçiqit, “nëse vëllai i tij kishte ardhur tashmë në Gjermani, pse do të kthehej në Preshevë?”
“Personi të cilit i ka dokumentet në policinë tonë, Artan Hajrizi, sot në orën 11:55 ka deklaruar në policinë e Hanoverit se pardje vëllai i tij Fatoni i ka vjedhur dokumentet personale në banesën e tij në Hanover. Është një gënjeshtër klasike, sepse sipas cilës logjikë një person nga Hanoveri kthehet ilegalisht në Preshevë dhe tenton të shkojë sërish ilegalisht në Gjermani?!”, ka thënë Daçiq.
Daçiq pretendon se për këtë është rënë dakord më herët dhe është një akt i organizuar.
“Policia gjermane duhet të përgjigjet urgjentisht nëse Fatoni ka qenë në Hanover dhe si ka hyrë e ka dalë dhe si ka përfunduar në Preshevë dhe pse, me çfarë qëllimi?”, ka thënë tutje Daçiq.