Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka mirëpritur dialogun që sot është mbajtur në Bruksel për çështjen e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës. DASH-i ka bërë thirrje që diskutimet të vazhdojnë me urgjencë.
“Këto janë bisedime që i mirëpresim, që po mbahen sot në Bruksel brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, përfshirë diskutime për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Besojmë se këto diskutime duhet të vazhdojnë me urgjencë”, ka thënë sot zëvendës zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel në konferencë për media.
Sipas tij, dialogu i lehtësuar nga BE-ja është kanali adekuat për të zgjidhur këto çështje të ndërlidhura me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Patel ka thënë se SHBA-ja ka qenë e qartë duke shprehur shqetësimet e saja për rregulloren e re të BQK-së. Ai ka thënë se kanë përsëritur thirrjet vazhdimisht për Kosovën e Serbinë që të shtensionojnë situatën.