Dalin pamjet, Safet Gjici dhe Alma Kaçi në gjykatë

1 minute, 56 seconds Read

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të lërë në masën e sigurisë arrest me burg Safet Gjicin, ish-kryetarin e Bashkisë Kukës të akuzuar për korrupsion pasiv. Gjithashtu gjykata vendosi të lërë në arrest shtëpie Alma K., vajzën e cila shfqet në video me Gjicin.

Sipas avokates Natasha Velija, mbrojtëse e Alma K., klientja e saj ka kërkuar të hetohet pa masë sigurie për shkak se ka një fëmijë të mitur, nënën e sëmurë dhe i vetmi person që punon në familje.

Më 16 qershor, Gjici u shfaq në një video të publikuar online duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua në zyrën e tij në Bashkinë e Kukësit. Më vonë, u publikua një tjetër fragment i asaj videoje ku Gjici diskutonte me vajzën në fjalë për mundësinë e akordimit të saj të një tenderi për menaxhimin e qenve endacakë të qytetit të Kukësit.

Në një postim në rrjetet sociale pas publikimit të videos, Gjici kërkoi falje dhe tha se prej disa kohësh kishte lidhje intime me vajzën në fjalë, si dhe akuzoi kundërshtarët politikë.

“Pas një fushate dhe përballjeje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rashë pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje. Ja arritën ta bëjnë në një formë tjetër të pistë atë që se bënë dot me votën e kuksianëve. Jam shumë i keqardhur për ngjarjen dhe jam më se i qartë se në këtë situatë nuk ka vlerë asnjë lloj sqarimi. Prej disa kohësh unë kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë por sigurisht nuk kam asnjë justifikim për atë çka ka ndodhur pavarësisht se i rënë në kurth”, tha Gjici.

Edhe pse dha dorëheqjen, qeveria vendosi ta shkarkojë kryebashkiakun socialist në mbledhjen që u mbajt po atë ditë.

Gjici drejtonte prej vitit 2019 Bashkinë e Kukësit dhe fitoi mandatin e dytë në zgjedhjet e 14 majit, mandat që e ndërpreu pa filluar mirë.

Publikime te ngjashme