Çmimet e naftës bien në botë, por jo në Kosovë – qytetarët kërkojnë përgjigje: pse mungon reflektimi në tregun vendor?

2 minutes, 50 seconds Read

Luhatjet e çmimeve të derivateve të naftës në tregjet ndërkombëtare kanë shkaktuar pakënaqësi në mesin e drejtuesve të automjeteve në Kosovë, të cilët thonë se uljet në bursë nuk po reflektohen në tregun vendor.

Sipas shumë qytetarëve, çmimet e karburanteve në vend nuk janë zvogëluar në të njëjtën masë si në tregjet botërore, duke rënduar buxhetet familjare dhe koston e transportit.

Zërat e qytetarëve: “Çmimet nuk lëvizin, puna po bëhet më e vështirë”

Ragip Beqiri, taksist nga Prishtina, thotë se prej muajsh po përballet me shpenzime të larta për shkak të çmimit të naftës:

“Qe tre muaj nuk kanë lëvizur çmimet, janë shumë të larta. S’kemi zgjidhje – duhet të punojmë, ndryshe s’kemi me çka jetojmë. Me këto paga, është e papërballueshme. Nëse na prishet makina, duhet të marrim borxh.”

Edhe Rexhep Latifi, një tjetër taksist, thotë se uljet e çmimeve janë harruar që nga pandemia:

“Nuk mbaj mend ndonjë ulje që prej kohës së pandemisë. Për ne që punojmë me taksi, është katastrofë. Tani kanë dalë edhe makinat elektrike që na konkurrojnë. Nëse nafta do të ishte më e lirë, do të kishim shpresë.”

Për Berat Sadikun, çmimi i karburantit është barrë e përditshme:

“Harxhojmë rreth 80 euro në javë vetëm për naftë. Për ne që punojmë në rrugë çdo ditë, është e rëndë.”

Ndërsa Rrahman Ramadani thekson efektin zinxhir të çmimeve të larta:

“Kur shtrenjtohet nafta, çdo gjë tjetër shtrenjtohet. Ky është problemi më i madh sot në Kosovë.”


Naftëtarët: “Çmimet varen nga tregjet dhe sanksionet globale”

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, tha për KosovaPress se aktualisht në Kosovë çmimet variojnë si më poshtë:

  • Diesel: 1.15 deri 1.24 euro për litër

  • Benzinë: 1.16 deri 1.25 euro për litër

Sipas tij, çmimet janë ndikuar nga rritja e indeksit Crude Brent me mbi 5%, që arriti në 65.85 dollarë për fuçi, pas sanksioneve të reja amerikane ndaj kompanive ruse të naftës.

“Sanksionet kanë ngritur frikën për kufizim të furnizimit në tregjet botërore, ndërkohë që rezervat e SHBA ranë ndjeshëm. Këto zhvillime e bëjnë tregun të luhatshëm dhe ndikojnë drejtpërdrejt në Kosovë,” tha Berjani.

Ministria hesht, qytetarët presin transparencë

Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ende nuk ka asnjë përgjigje lidhur me mënyrën e përcaktimit të çmimeve në Kosovë apo marzhat e fitimit për tregtarët me shumicë dhe pakicë.
Edhe Dogana e Kosovës nuk ka dhënë të dhëna mbi çmimet e importit të karburanteve gjatë muajit të fundit.

Krahasimi me rajonin

Në krahasim me shtetet fqinje, Kosova renditet ndër vendet me çmime më të larta:

  • Maqedonia e Veriut: Diesel 1.09 € | Benzinë 1.19 €

  • Shqipëria: Diesel 1.88 € | Benzinë 1.89 €

  • Serbia: Diesel 1.78 € | Benzinë 1.79 €

  • Mali i Zi: Diesel 1.31 € | Benzinë 1.39–1.42 €

Në Kosovë, sipas vlerësimeve të fundit, çmimet mbeten mesatare, por qytetarët thonë se nuk po ndiejnë lehtësim, pavarësisht rënies së çmimeve në bursat ndërkombëtare.

Në mungesë të reagimit institucional, mbetet e paqartë nëse autoritetet do të ndërmarrin masa për monitorim të çmimeve, në mënyrë që uljet globale të reflektohen edhe në tregun vendor./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme