Boshnjakët nga Sanxhaku ankohen te Kurti për trajtimin që ua bënë Serbia atyre

1 minute, 18 seconds Read

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ​së bashku me Këshilltaren Politike, Ardita Sinani pritën në takim Kryetarin e Partisë Aksioni Demokratik në Shanxhak (SDA), Dr. Sulejman Ugljanin, deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, përfaqësuesit politikë boshnjakë në Serbi, Esad Salihovic, Selma Kucevic, Ado Kameniscanin, dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim u diskutua për brengat dhe shkeljet të cilat në mënyrë të vazhdueshme i përjetojnë si pakica shqiptare e po ashtu edhe ajo boshnjake në Serbi, dhe për atë se çfarë mund të bëhet së bashku për të përmirësuar këtë gjendje.

“Përfaqësuesit e Boshnjakëve në Serbi thanë se as ata nuk janë të kënaqur me trajtimin që i bëhet atyre. Parimi i reciprocitetit dhe i simetrisë së të drejtave të pakicave kombëtare në Ballkan Perëndimor, është formula e duhur për arritjen e një paqe të qëndrueshme e afatgjate në rajon”, u tha në takim.

Ndër të tjerash, kryeministri Kurti i njoftoi ata për takimet bilaterale dhe trilaterale që u zhvilluan me 14 shtator në Bruksel në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tema tjera të diskutimit ishin edhe mandatet e garantuara, përfaqësimi i garantuar institucional, pasivizimi i adresave të vendbanimeve, shkelja e të drejtave të pakicave dhe vështirësitë në përdorimin e gjuhës dhe simboleve.​

Publikime te ngjashme