Rezultatet e përmbledhura preliminare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit konfirmojnë një epërsi të qartë të Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo ndarja e mandateve mbetet ende e brishtë. Pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të mbetura me postë, konfigurimi i ri i Kuvendit mund të pësojë lëvizje të rëndësishme.
Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, me 99.47% të vendvotimeve të procesuara, LVV kryeson me 50.72%, që përkthehet në 57 mandate. Pas saj vjen PDK me 20.40% (23 mandate), ndërsa LDK mban 13.29% (14 mandate). AAK ka siguruar 6 ulëse, ndërsa Lista Serbe ka marrë 9 mandate. Vlen të theksohet se procesi i numërimit të votave me kusht i riktheu PDK-së ulësen e 23-të, duke i kushtuar LDK-së humbjen e një mandati.
Eugen Cakolli nga KDI vlerëson se ndarja aktuale është ndikuar ndjeshëm nga votat me kusht, ku PDK ka pasur një performancë pothuajse dyfish më të lartë se LDK. Megjithatë, diferenca në koeficientë mes LVV, PDK dhe LDK është jashtëzakonisht e ngushtë — vetëm rreth 10 pikë apo disa qindra vota në nivel kombëtar.

“Me rreth 14 mijë vota me postë që ende presin të numërohen, mandati i fundit për këto tri subjekte mbetet ende në lojë,” shpjegon Cakolli. Sipas tij, lëkundja më e mundshme pritet në raportin mes PDK-së dhe LDK-së. Nëse trendi i votave nga diaspora vijon siç është paraparë, LDK mund ta rikthejë mandatin e 15-të, duke e zbritur sërish PDK-në në 22 ulëse.
Sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje, arritja e mandatit të 58-të konsiderohet e vështirë. Kjo do të kërkonte një performancë prej mbi 80% në votat me postë, shifër kjo dukshëm më e lartë se trendi aktual prej 72%. Numërimi final i votave të diasporës do të jetë faktori vendimtar që do të vulosë përbërjen përfundimtare të Kuvendit të Kosovës./lajmishqip.net
