Beteja ligjore përfundon, Gjykata e detyron Telekomin të paguajë gjobat me përmbarim

1 minute, 17 seconds Read

Gjykata Komerciale e shkallës së dytë u ka dhënë të drejtë punonjësve të Telekomit të Kosovës, duke hedhur poshtë ankesat e kompanisë dhe duke i bërë të ekzekutueshme gjobat e vendosura nga Inspektorati i Punës për shkelje të të drejtave të tyre. Ky vendim përmbys atë të shkallës së parë, e cila fillimisht kishte anuar nga Telekomi.

Në disa aktvendime të siguruara, dhoma e shkallës së dytë konfirmon se vendimet e Inspektoratit janë dokumente të plotfuqishme dhe urdhëron procedimin përmes përmbaruesit privat. Në një rast, Telekomi detyrohet të paguajë 3,000 euro, ndërsa në një tjetër, shuma arrin në 4,500 euro, si pasojë e shkeljeve të konstatuara.

Këto gjoba vijnë si rezultat i shkeljeve flagrante në proceset e rekrutimit, ku sipas Inspektoratit, kryeshefja ekzekutive Burbuqe Hana ka anashkaluar udhëzimet administrative duke hequr testin me shkrim dhe duke kufizuar afatet e ankesave për të favorizuar kandidatë të caktuar.

Nga ana tjetër, Telekomi i ka konsideruar këto gjoba të paligjshme. Zyrtari kryesor financiar, Feim Kelmendi, e ka quajtur Inspektoratin një “gjobëvënës të paligjshëm”, duke pretenduar se kompania nuk është e obliguar të zbatojë udhëzimet administrative, por rregulloret e veta të brendshme.

Kjo sagë ligjore ka pasur edhe dimensione të tjera, përfshirë vendimet e mëparshme të shkallës së parë nga gjykatësja Vlora Pacolli, motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit, të cilat i kishin dhënë të drejtë Telekomit./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme