Berisha: Kurti sapo e kreu intervistën në Prokurorinë Speciale!

1 minute, 50 seconds Read

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, avokati Besnik Berisha, ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është paraqitur në Prokurorinë Speciale në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kishte deklaruar më herët se Kurti ishte i gatshëm të mirëpriste prokurorët në zyrën e tij për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë.

Por avokati Besnik Berisha konfirmoi ndryshe.

“Çka nëse u them se kryeministri Kurti sapo e kreu intervistën në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, a ma besoni a jo?”.

“Nejse, mos i ngjitni fjalë djalit se me sytë e mi e pashë. Institucionalist se ç’ke me të”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Telegrafi ka provuar të kontaktojë Zyrën e Kryeministrit, por nuk ka mundur të marrë përgjigje.

Rasti i rezervave shtetërore

Ky rast ka nisur në gusht të vitit të kaluar, kur disa persona u arrestuan nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Në mesin e të arrestuarve kishte edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Bastisjet dhe arrestimet u kryen pas publikimit të disa audio-incizimeve të cilat pretendojnë se vaji dhe gruri i kontraktuar dhe paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës nuk kishin arritur kurrë.

Ministrja e atëhershme e Industrisë, Rozeta Hajdari, kishte deklaruar se blerjet për rezervat shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk kishte dhënë më shumë detaje.

Kurti e kishte mbrojtur Hajdarin, duke deklaruar se “nuk ka kurrfarë korrupsioni apo keqpërdorimi”.

Çfarë janë rezervat shtetërore?

Rezervat shtetërore përfshijnë produkte si mielli, vaji, sheqeri, barnat, nafta dhe produkte higjienike, të cilat përdoren në raste të jashtëzakonshme, si fatkeqësi natyrore, luftëra ose mungesa në treg.

Ato menaxhohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave, që funksionon në kuadër të MINT-it.

Informacioni mbi sasinë dhe vendndodhjen e këtyre rezervave konsiderohet sekret shtetëror sipas ligjit./Telegrafi/

Publikime te ngjashme