Një ditë pas protestës së madhe të Vidovdanit dhe arrestimeve masive që pasuan, studentët dhe qytetarët në Beograd kanë nisur akte të reja të “mosbindjes civile” të dielën në mbrëmje. Si reagim ndaj ndalimit të demonstruesve, janë ngritur barrikada me kontejnerë që bllokojnë rrugët kryesore në pjesë të ndryshme të qytetit, përfshirë Zemunin, Vozhdovacin dhe Autokomandën.
Paralelisht, një protestë e re ka filluar para Pallatit të Drejtësisë, ku ndodhet Prokuroria e Lartë Publike, me kërkesën për lirimin e të gjithë të arrestuarve. Tubimi, i cili nisi pak para orës 20:00, ka bllokuar Rrugën Savska. Sipas raportimeve fillestare, më shumë se 1,000 persona janë mbledhur, ndërsa turma vazhdon të rritet me ardhjen e qytetarëve nga drejtime të ndryshme.
Atmosfera është e zhurmshme, me protestuesit që përdorin bilbila dhe herë pas here brohorasin në kor parulla si “Lërini të gjithë të lirë”, “Vuçiq po largohet” dhe thirrje të tjera kundër qeverisë. Grupi “Studentët në Bllokadë” ka bërë të ditur se protesta të ngjashme janë paralajmëruar edhe në qytete të tjera të Serbisë, raporton lajmishqip.