Fushata për balotazhin në komunat e Kosovës ka nisur me përplasje të forta politike, pas deklaratës së kryeministrit në detyrë dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili tha se nuk do të ndajë fonde për kryetarë komunash që, sipas tij, “nuk punojnë mirë apo vjedhin”.
“Ne kemi premtuar dhe do ta mbajmë fjalën: një miliard euro investime për komunat. Por unë nuk e jap buxhetin e shtetit për ata kryetarë që nuk dinë të punojnë, apo për ata që vjedhin. Mos i votoni ata që nuk duan punën apo që duan të vjedhin – me ta nuk ka zhvillim, siç nuk ka pasur për 20 vjet pas luftës”, tha Kurti.
Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga partitë opozitare, të cilat e kanë cilësuar si kërcënim elektoral dhe ndërhyrje në procesin demokratik.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, reagoi ashpër duke e quajtur deklaratën “kërcënim shtetëror ndaj qytetarëve”.
“Askush nuk ka të drejtë t’i frikësojë qytetarët me buxhetin e tyre. Paratë publike janë të popullit, jo të Kurtit apo ndonjë partie. Ai po i përdor investimet si shantazh elektoral – kjo është e turpshme dhe e rrezikshme”, tha Rama, duke shtuar se nuk do të heshtë “përballë mentalitetit autokratik që ndan qytetarët në ‘tanët’ dhe ‘të tjerët’”.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e akuzoi Kurtin për tentim bllokimi politik:
“Nuk do t’iu vijë më rendi të ndalni asgjë. Prishtina po ndriçohet si asnjëherë më parë nga qeverisja e LDK-së, dhe të dielën do t’i jepet përgjigjja e duhur kryepopullistit që s’ofron tjetër veç kërcënimesh për bllokim.”
Reagim i ashpër erdhi edhe nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila e cilësoi deklaratën si “skandaloze dhe arrogante”:
“Kurti kërcënoi qytetarët duke u thënë se nëse nuk votojnë për kandidatët e tij, nuk do të kenë fonde. Ai ka qeverisur kështu prej ditës së parë – me ndëshkim politik ndaj komunave që nuk janë të Vetëvendosjes. Disa komuna të udhëhequra nga PDK kanë marrë 0 euro, megjithëse janë ndër më transparentet në vend. Më 9 nëntor, qytetarët do t’i përgjigjen – ky popull nuk shantazhohet.”
Ndërkohë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e quajti deklaratën e Kurtit “ndërhyrje të papranueshme në procesin zgjedhor”.
“Është e paqartë në çfarë baze vlerëson ai se kush qeveris mirë. Kjo është tentativë për të ndikuar në zgjedhje. Komunat janë pjesë e shtetit dhe nuk mund të diskriminohen sipas përkatësisë politike”, tha Limaj për Klan Kosova, duke ftuar qytetarët “të votojnë me bindje, jo nën presion”.
Në këtë mënyrë, balotazhi që pritet të mbahet më 9 nëntor ka hyrë në fazën e nxehtë politike, me tone të ashpra mes qeverisë dhe opozitës për mënyrën si trajtohen komunat dhe fondet publike./lajmishqip.net
