Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka njoftuar se të hënën, më 3 nëntor 2025, do të dorëzojë padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës – Departamentin për Çështje Administrative, për anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës (nr. 02/273, datë 31.10.2025), që lidhet me aprovimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026.
Sipas komunikatës për media, së bashku me padinë do të dorëzohet edhe propozimi për vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë, me qëllim pezullimin e ekzekutimit të vendimit qeveritar. Dorëzimi do të bëhet në Pallatin e Drejtësisë, me fillim nga ora 10:30.
Pas dorëzimit të padisë, drejtori ekzekutiv i AVONET, Kenan Gashi, do të mbajë një deklaratë për media, ku pritet të sqarojë qëllimin e kësaj nisme, e cila, sipas organizatës, ka për synim mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, respektimin e Ligjit për Qeverinë dhe parimeve të ndarjes së pushteteve e sundimit të ligjit.
Në njoftimin e dërguar mediave, AVONET thekson se pjesëmarrja dhe përcjellja e këtij procesi nga gazetarët është thelbësore për transparencën dhe informimin korrekt të publikut, pasi bëhet fjalë për një çështje me interes të lartë publik.
/lajmishqip.net
