Avokati i Radoiçiqit është anti-shqiptar i betuar që punoi në Kosovë gjatë luftës, mbrojti Karaxhiqin, Cecën dhe Klanin e Zemunit

2 minutes, 29 seconds Read

Në emër të Milan Radoiçiqit, para publikut iu drejtua avokati i tij Goran Petronijeviq, i njohur në opinionin e gjerë si mbrojtës i Radovan Karaxhiqit dhe Veselin Shljivançanin në Hagë. Petronijeviq lexoi deklaratën e Radoiçiqit, në të cilën ai pranoi se ai e kishte organizuar grupin terrorist në Banjskë dhe se kinse nuk e kishte ndihmë nga autoritetet në Beograd apo nga strukturat lokale në Kosovë.

Goran Petronijeviq është një avokat beogradas me origjinë nga komuna e Medvegjës. Ai u bë avokat në vitin 2001, pasi ishte gjyqtar për më shumë se një dekadë, shkruan Ballkani.info.

Nga posti i zëvendësit të Gjykatës së Qarkut në Beograd, ai shkoi në Pejë, ku ishte gjyqtar i Gjykatës së Qarkut nga viti 1998 deri në qershor 1999. Petronijeviq kishte detyrë të veçantë në Kosovë, si gjykatës special hetues i Ministrisë së Drejtësisë së ish RFJ-së që hetonte krimet e luftës në Kosovë.

Si gjyqtar, ai ishte anëtar i panelit të gjyqtarëve që në vitin 2000 dha një vendim kundër zyrtarëve të NATO-s “për krime lufte të kryera gjatë bombardimeve të vitit 1999”.

Ai iu bashkua avokatisë pas ndryshimeve më 5 tetor në Serbi, pra në vitin 2001. Klientët e tij më të famshëm ishin ish-shefi i Sigurimit Shtetëror serb Rade Markoviq, ish-shefi i Sigurimit Ushtarak Aco Tomiq dhe në Hagë ai përfaqësonte Veselin Shljivançanin dhe Radovan Karadxhiqin. Ai ishte mbrojtës i këngëtares Svetlana Ceca Razhnatoviq, por edhe i pjesëtarëve të klanit Zemun.

Petronijeviq ka tronditur vazhdimisht opinionin me deklaratat e tij duke detajuar disa nga rastet që ai ka trajtuar.

Kështu në vitin 2019, ai tronditi me deklaratën se Dushan Spasojeviq -Shiptar dhe Mile Lukoviq – Kum, udhëheqësit e klanit Zemun, të cilët u gjetën të vdekur në Meljak më 27 mars 2003, u vranë më herët dhe fytyrat e tyre ishin grimuar me ngjyrë të kuqe të freskët për të treguar se ishin vrarë po atë mbrëmje gjatë konfrontimit me pjesëtarët e Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ).

Ai shpjegoi se e di këtë sepse e ka kryer hetimin e tij pasi që ka mbrojtur Sasha Pejakoviq – Pelet, një nga të dënuarit në gjyqin për vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjinxhiq, i cili për herë të fundit pa të gjallë ‘Shiptarin’ dhe ‘Kumen’.

Kur është fjala për rastin e Rade Markoviqit, ai ka thënë për media se amerikanët i kanë ofruar tre milionë dollarë dhe ndryshim identiteti nëse ai e akuzon Sllobodan Millosheviqin gjatë dëshmisë së tij në Hagë. Oferta, sipas Petronijeviq, është bërë nga ish-kryeprokurori në Tribunalin e Hagës, Jeffry Nice.

Ai është themelues i Lëvizjes për Serbinë, Shtëpisë së Medias “Ruski Ekspres” dhe organizatës joqeveritare Qendra për rivendosjen e së drejtës ndërkombëtare. /Ballkani.info

Publikime te ngjashme