Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës nga stacioni në Klinë janë arrestuar dhe dërguar në ndalim për 48 orë të hënën, nën dyshimin se kanë keqtrajtuar fizikisht një qytetar gjatë një operacioni arrestimi. Sipas autoriteteve, zyrtarët policorë dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke ushtruar dhunë ndaj personit derisa ai ishte i prangosur.
Rasti doli në dritë pas një hetimi të përbashkët të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) dhe Prokurorisë Themelore në Pejë. Zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikçi, konfirmoi se incidenti ndodhi gjatë arrestimit të një të dyshuari për veprën penale “Kanosje”. Ai person ishte dërguar në mbajtje, por provat e mbledhura më pas ngritën dyshime mbi veprimet e policëve.
“Udhëheqësi i kësaj patrulle policore bashkë me dy zyrtarë të tjerë kanë ushtruar dhunë fizike ndaj të pandehurit,” deklaroi Nikçi, duke shtuar se të njëjtit janë intervistuar para se prokurori të urdhëronte ndalimin e tyre. Në një njoftim të veçantë, IPK konfirmoi se arrestimi i policëve është bërë për shkak të dyshimit për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Hetuesit e IPK-së, në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente, do të vazhdojnë me veprime të tjera hetimore për të ndriçuar plotësisht të gjitha rrethanat që lidhen me këtë incident, raporton lajmishqip.