Instituti për Siguri dhe Resiliencë – PREVENT ka përshëndetur aksionin e koordinuar dhe vendimtar të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë, si Prokuroria e Shtetit, Inspektorati Policor, Policia e Kosovës dhe AKI, për arrestimin e zyrtarit policor Bojan Jevtić, i cili dyshohet për përfshirje në spiunazh dhe ofrim të informacioneve të ndjeshme për inteligjencën serbe.
Jevtić, i cili shërbente si zëvendëskomandant dhe shef i operativës në një njësi policore në veri, u arrestua në pikën kufitare ‘Dheu i Bardhë’ pas një hetimi të zgjatur nga autoritetet. Sipas PREVENT, ky arrestim nuk është një ngjarje e izoluar, por dëshmi e përkushtimit institucional që reflekton pjekurinë e shtetit të Kosovës në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sigurisë kombëtare.
Gjithashtu, në njoftim, PREVENT thekson rolin udhëheqës të Prokurorisë së Shtetit, saktësinë e hetimeve të IPK-së, angazhimin e Policisë së Kosovës dhe kontributin thelbësor të AKI-së në identifikimin dhe analizimin e të dhënave inteligjente.
“Bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional në këtë rast tregon një shembull funksional të mbrojtjes së sovranitetit dhe stabilitetit të Republikës së Kosovës”.
Sipas institutit, ky nuk është një rast i vetëm.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës së Serbisë. Të gjithë këta individë dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me interesat e Republikës së Kosovës, duke synuar destabilizimin institucional dhe minuar sigurinë kombëtare.
Instituti PREVENT bën thirrje që hetimet të vijojnë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, duke respektuar plotësisht shtetin e së drejtës, standardet demokratike dhe të drejtat e njeriut. Vetëm një qasje e tillë mund të forcojë besimin e qytetarëve në institucione dhe të sigurojë që çdo cenues i sigurisë dhe rendit kushtetues të përballet me drejtësinë.
“Raste të tilla duhet të shërbejnë edhe si thirrje për verifikim më rigoroz të integritetit të zyrtarëve publikë, forcimin e kapaciteteve të kundërzbulimit dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional – veçanërisht në sektorët e ndjeshëm të shtetit – për t’u përballur me sukses me sfidat dhe kërcënimet hibride që mund të cenojnë paqen dhe stabilitetin në vend”, thuhet në komunikatë, raporton lajmishqip.