Armatosja e FSK-së me raketat OMTAS nuk është rastësi, Mehaj zbulon prapaskenat e marrëveshjeve shtetërore

2 minutes, 49 seconds Read

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar pas arritjes së dërgesës së radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS nga Turqia në vendin tonë.

Mehaj ka sqaruar se të gjitha furnizimet e deritanishme, përfshirë edhe këtë të fundit nga Turqia, janë pjesë e një kontinuiteti të planifikuar që ka nisur herët dhe është realizuar me kohë. Sipas tij, sistemi OMTAS u bë publik për herë të parë gjatë ushtrimit “Defender 23”, ndërsa ekzistojnë dëshmi vizuale që vërtetojnë marrëveshjet e drejtpërdrejta shtet me shtet.

“Për shkak të interesit mediatik lidhur me furnizimet e fundit të OMTAS-it, konsideroj të nevojshme të sqaroj se këto pajisje nga Turqia janë pjesë e një procesi të rregullt dhe të planifikuar furnizimi. Nuk bëhet fjalë për blerje ad-hoc apo të papritura, por për procedura që kanë nisur më herët dhe janë zhvilluar sipas planeve. Sistemin OMTAS e prezantuam publikisht gjatë Defender 23, fotot janë tashmë të publikuara, ndërsa videoja që dokumenton marrëveshjet ndërshtetërore është po ashtu këtu”, deklaroi Mehaj përmes rrjetit social Facebook.

Ish-ministri vlerësoi lart mbështetjen e kryeministrit Albin Kurti në këto procese, duke potencuar se përkrahja për marrëveshjet dhe kontraktimet shtet me shtet ka qenë e paluhatshme dhe pa asnjë rezervë.

Mehaj u ndal edhe te Fondi i Sigurisë, duke nënvizuar se aktivizimi i tij nuk është as i rastësishëm e as veprim i tepruar. Ai shtoi se fonde të ngjashme posedojnë edhe shtetet shumë më të fuqishme, ndërsa investimet në siguri, sipas tij, përfaqësojnë stabilitetin dhe të ardhmen e shtetit.

“Nuk bëhet fjalë për blerje të rastësishme apo të papritura, por për procese që kanë nisur më herët dhe kanë vazhduar me kohë. OMTAS për herë të parë e kemi bërë publik në opinion gjatë Defender 23, fotot i keni të publikuara këtu, ndërsa videoja që dëshmon marrëveshjet shtet me shtet është po ashtu këtu. Për ata që pyesin për destinacionin e mjeteve monetare, përgjigjja është e qartë: ato janë investuar në këto furnizime, në ato paraprake dhe në blerjet që do të pasojnë. Kjo është logjika e ndërtimit të kapaciteteve tona mbrojtëse. Në të gjitha këto procese, përfshirë kontraktimet ndërshtetërore, mbështetja e Kryeministrit Albin Kurti ka qenë e plotë dhe pa rezerva. Këtë e kam çmuar gjithmonë lart”, shkruan ai.

“Gjithashtu, aktivizimi i Fondit të Sigurisë nuk është rastësi e as i tepruar. Fonde të tilla i gjejmë edhe në shtete shumë më të konsoliduara se ne. Investimet në siguri kurrë nuk janë të kota apo të tejkaluara. Ato janë garantues i stabilitetit dhe të ardhmes së republikës. Mjetet e këtij fondi kontrollohen rreptësisht dhe nuk ka hapësirë për asnjë keqpërdorim. Çdo kontribut për Kosovën është investim në të ardhmen tonë. Së bashku me aleatët, qëndrojmë krah për krah drejt anëtarësimit në NATO”, përfundoi Mehaj.

Republika e Kosovës dje pranoi dërgesën e radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Ejup Maqedonci, ministër në detyrë i Mbrojtjes./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme