Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka adresuar çështjen tejet sensitive të zgjedhjes së Presidentit dhe pozicionimin e tij karshi emrit të Vjosa Osmanit. Quni ka bërë të ditur se mendimin e tij individual e ka deponuar tashmë brenda organeve të LDK-së, duke konfirmuar se do t’i nënshtrohet plotësisht vullnetit të shumicës që do të artikulohet aty.
“Qëndrimi im personal është shprehur në organet e partisë dhe do të trajtohet brenda këtyre strukturave ku edhe merret vendimi final; unë do të jem në pajtim me çfarëdo vendimi që del nga mbledhja”, deklaroi ai para gazetarëve.
Sa i përket detajeve nga takimi mes kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe liderit të VV-së, Albin Kurti, ai sqaroi se informatat zyrtare do të shpalosen gjatë mbledhjes së brendshme të subjektit. “Tani po hyjmë për të pranuar informacionet, prandaj edhe po zhvillohet ky takim, që të njoftohemi saktësisht nga kryetari Abdixhiku për rrjedhën e bisedimeve”, shtoi më tej Quni.
Lidhur me mundësinë e një pakti me Lëvizjen Vetëvendosje dhe mbështetjen e tij eventuale për këtë proces, Quni nënvizoi se çdo gjë do të kristalizohet pas debatit të brendshëm partiak. “Do të diskutojmë gjerësisht, do të kemi debat brenda strukturave dhe në fund do të nxjerrim vendimin që i duhet partisë dhe vendit”, përfundoi ai./lajmishqip.net









