Ish-zëvendësshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward P. Joseph, ka zbërthyer mekanizmat përmes të cilëve Serbia mund të detyrohet që më në fund të pranojë realitetin e pakthyeshëm gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor.
Eksperti i njohur amerikan ka potencuar faktin se për Beogradin nuk ekziston rrugë tjetër përveç integrimit evropian, duke argumentuar prerazi se “Serbia nuk mund të shndërrohet në Bjellorusinë e dytë të Evropës”.
“Kam mbrojtur idenë se SHBA-ja, BE-ja dhe sidomos NATO, duhet të ushtrojnë presionin e tyre që Beogradi të pozicionohet qartë. E kam theksuar vazhdimisht se përshpejtimi i rrugëtimit të Kosovës drejt NATO-s do ta gozhdonte Serbinë përballë realitetit të ri”, ka deklaruar Joseph për mediat ndërkombëtare.
Lidhur me idenë e hedhur nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri Edi Rama për një anëtarësim të mundshëm pa të drejtë vetoje, Joseph e ka cilësuar këtë iniciativë si një “kal Troje”, i projektuar për të nxitur ndasi brenda bllokut evropian dhe për të minuar progresin e Malit të Zi.
Ai ka spjeguar se kjo lëvizje e Beogradit synon bllokimin e avancimit të Podgoricës drejt Brukselit, ngjashëm siç Putini e percepton integrimin e Ukrainës si kërcënim, pasi për Vuçiqin një sukses i tillë i fqinjit do të konsiderohej si një poshtërim personal dhe dështim strategjik.
“Njësoj si lideri rus, edhe presidenti serb duhet të përballet me dilemën se pse Mali i Zi pro-perëndimor po përparon, derisa Serbia po stagnon. Ky është çmimi i politikës së rrezikshme të balancimit që Vuçiq po ndjek mes katër shtyllave të tij të jashtme”, ka përfunduar Joseph./lajmishqip.net









