Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u deklarua sot rreth mundësisë së marrjes së timonit të LDK-së, në skenarin ku pozita e kryetarit do të mbetej vakante nga Lumir Abdixhiku. Pyetja drejtuar Ramës ishte e drejtpërdrejtë: “A planifikoni ta merrni postin e kryetarit të LDK-së nëse Lumir Abdixhiku zgjidhet president i Kosovës?”.
Në përgjigjen e tij, Rama rikonfirmoi se vëmendja e tij mbetet e përqendruar në kryeqytet, ndonëse la të hapur gatishmërinë për të mbështetur partinë në rast nevoje. “E kam theksuar edhe më herët se unë jam kryetar i kryeqytetit dhe kam një mandat katërvjeçar për të përmbushur. Përbrenda partisë kemi njerëz të shkëlqyer që kanë kapacitet t’i shtyjnë proceset përpara. Nuk besoj se kanë nevojë për mua në atë rol, pasi jam këtu për Prishtinën dhe qytetarët e saj. Megjithatë, duke i shërbyer kryeqytetit, i shërben gjithë Kosovës, andaj do të jem i gatshëm për çfarëdo ndihme që kërkohet, por prioriteti im mbetet Prishtina”, deklaroi ai./lajmishqip.net
