Ambasadat e BE dhe SHBA dënojnë ashpër vendimet e Asamblesë së Republikës Sërpska në Bosnje!

2 minutes, 36 seconds Read

Germania dhe delegacioni i BE-së mbështesin sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe karakterin shumetnik të Bosnjës. Në deklaratë, po ashtu, theksohet mbështetja për Përfaqësuesin e Lartë, i cili, sipas Marrëveshjes së Dejtonit, është interpretuesi final i aspekteve civile të Marrëveshjes së Paqes.

Kërkesa e paraqitur në rezolutën e miratuar paraqet një zbutje të qëndrimit, pasi në tekstin paraprak të rezolutës propozohej që Dodikut t’i kërkohej që të mos i përgjigjej asnjë thirrjeje të gjykatave të Bosnjës, të cilat po e gjykojnë atë për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Kjo ishte një nga 12 konkluzionet e miratuara nga Parlamenti i Republikës Sërpska pas shqyrtimit të “informacionit mbi kolapsimin e rendit juridik në Bosnjë dhe Hercegovinë lidhur me shkeljen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit”.

Dodik, i cili së fundmi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Beograd, ishte paraparë të paraqitej para gjykatës më 24 dhjetor, por seanca, sipas avokatit të tij, është shtyrë për më 30 dhjetor.

Përderisa ekipi mbrojtës i Dodikut ka argumentuar se ai nuk mund të marrë pjesë në gjykim për disa muaj, eksperti ligjor Haris Vraniq, i emëruar nga Gjykata e Bosnjës, ka përcaktuar se Dodik është i aftë të marrë pjesë në seanca gjyqësore.

Aktualisht, Dodik po përballet me gjykim pasi ka nënshkruar një dekret presidencial duke shpallur të vlefshme dy ligje në entitetin serb që paraprakisht ishin anuluar nga Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt.

Përveç Dodikut, Prokuroria po ashtu ka akuzuar Millosh Lukiq, ushtrues i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Sërpska, se ka mundësuar publikimin e dekretit të Dodikut.

Dekreti ka të bëjë me amendamentet në Ligjin për publikimin e ligjeve dhe rregullativave të tjera në Republikën Sërpska, si dhe në Ligjin për vendimet e paaplikueshme të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës.

Në mesin e konkluzioneve të miratuara nga Parlamenti i Republikës Sërpska ishte edhe kërkesa që përfaqësuesit e emëruar të Republikës Sërpska në institucionet e Bosnjës të pezullojnë marrjen e vendimeve derisa Gjykata dhe Prokuroria e Shtetit të Bosnjës të pezullojnë “proceset e motivuara politikisht” kundër Dodikut dhe Lukiqit.

Megjithatë, nuk do të ketë bllokada “nëse vendimet merren lidhur me transferimin e juridiksionit nga niveli i Republikës Sërpska në nivelin e Bosnjës”.

Përfaqësuesve të Republikës Sërpska në institucione po ashtu u është kërkuar që të pezullojnë marrjen e vendimeve sa i përket integrimit evropian, derisa të plotësohen kushtet që ky proces të vazhdojë “në përputhje me parimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

Shumica parlamentare dënoi gjithashtu “ndërhyrjen” e Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Bosnjës në punën e Parlamentit të Republikës Sërpska, duke theksuar se vendimet e këtij parlamenti mund të shqyrtohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës.

 

Publikime te ngjashme