Ambasada e Kosovës njofton për shpërndarjen e Qarkorës së re të Gjermanisë për regjistrimin e shtetasve kosovarë

1 minute, 18 seconds Read

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka njoftuar publikimin e Qarkores zyrtare (Rundschreiben VII2.20104/49#24) të Ministrisë Federale të Punëve të Brendshme të Gjermanisë (BMI), e cila rregullon procedurat e regjistrimit për shtetasit e Republikës së Kosovës.

“Kjo Qarkore është shpërndarë më 7 mars 2025 tek institucionet lokale të regjistrimit (Melderegister) në të gjitha landet e Gjermanisë. Megjithatë, për shkak të kohës së shkurtër që ka kaluar që nga shpërndarja, mund të ndodhë që disa institucione relevante ende nuk e kanë pranuar këtë dokument”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Tutje thuhet se Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin, si dhe misionet tona konsullore në Düsseldorf, Frankfurt, Hamburg, München dhe Stuttgart, janë të gatshme për çdo sqarim apo informacion shtesë që mund të keni.

Kujtojmë se ditë më parë ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti njoftoi se shtetasit e Kosovës nuk do të regjistrohen më si shtetas serbë.

Përmes një video-mesazhi, ambasadori Ajeti tha se ky problem ekzistonte për më shumë se 17 vite.

“Më shumë se 17 vite qindra e mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës janë regjistruar me automatizëm në komuna të ndryshme gjermane në mënyrë të padrejtë dhe të gabuar, si shtetas të Serbisë. Kam kënaqësinë që tu ju njoftoi se si rezultat i punës dhe angazhimit tonë diplomatik ky problem i pazgjidhur dhe i trashëguar prej vitesh, nga sot e tutje do të marrë fund”, tha Ajeti./Telegrafi

Publikime te ngjashme