Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka reaguar pas vendimit të Bashkimit Evropian për heqjen e pjesshme të masave ndaj Kosovës, duke e mirëpritur këtë hap, ndonëse theksoi se kufizimet e tilla nuk duhej të ishin aplikuar kurrë.
Kearns rikujtoi se kriza u nxit nga bojkotimi i zgjedhjeve lokale prej Listës Serbe dhe sulmet e strukturave paramilitare të mbështetura nga Beogradi, të cilat gjatë vitit 2023 lanë të plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
Më tej, deputetja vuri në dukje agresionin në Banjskë, ku një grup paramilitar nën udhëheqjen e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, vrau rreshterin e policisë, Afrim Bunjaku. Ajo nënvizoi faktin se ky grup u trajnua në baza ushtarake serbe dhe përdori armatim të ushtrisë së Serbisë.
Sipas Kearns, sanksionet ndaj Kosovës ishin të pabaza dhe çdo masë e mbetur ndëshkuese duhet të shfuqizohet menjëherë.
Në përfundim, ajo deklaroi se përparësia kryesore tani duhet të jetë nxjerrja përpara drejtësisë e Radoiçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Deputetja britanike bëri thirrje për forcimin e sigurisë rajonale dhe orientimin e palëkundur të Kosovës drejt integrimit në strukturat euro-atlantike./lajmishqip.net
