Ali Ahmeti për homazhe te varri i ish-presidentit Rugova: Lobimi i tij ishte kushtrim drejtësie

1 minute, 3 seconds Read

Kryetari i partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka kujtuar ish-presidentin Rugova në ditën e lindjes së tij.

Ahmeti ishte për homazhe në Prishtinë, prej ku ka ndarë disa fotografi.

Sipas politikanit shqiptar, falë presidentit Rugova “u zgjua ajo ndërgjegje e fjetur e njerëzimit, lobimi i tij bashkë me pushkët e UÇK-së ishte kushtrim drejtësie të cilit iu përgjigjën SHBA-të dhe Europa”.

“Me homazhet në vendprehjen e tij në Prishtinë kujtuam sot në 79 vjetorin e lindjes, Presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën. Me anëtarët e familjes së nderuar Rugova evokuam bashkë kujtime nga ato vite veprimi përplot atdhedashuri të presidentit në shërbim të idealit të lirisë dhe themelimit të shtetit të pavarur të Kosovës.

Falë Presidentit Rugova u zgjua ajo ndërgjegje e fjetur e njerëzimit, lobimi i tij bashkë me pushkët e UÇK-së ishte kushtrim drejtësie të cilit iu përgjigjën SHBA-të dhe Europa.

Do ta kujtojmë përjetë me mall e krenari duke patur frymëzim vitet e jetës që ia kushtoi lirisë e përparimit të Kosovës. Lavdi e përjetshme Presidentit Rugova”, thuhet në postimin e tij.

Publikime te ngjashme