Pak pasi Rusia dhe Kina, rikonfirmuan qëllimet për të fuqizuar bashkëpunimin ushtarak, SHBA bashkon forcat me Japoninë. Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri japonez Fumio Kishida shpalosën të mërkurën planet e bashkëpunimit ushtarak dhe projektet që nga raketat deri tek uljet në Hënë.
Synimi është që të forcohet aleanca përballë kërcënimeve nga Kina dhe Rusia. Konferenca e përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë nxori në pah rëndësinë në rritje të Japonisë në skenën botërore dhe për Shtetet e Bashkuara.
“Vendet tona po ndërmarrin hapa të rëndësishëm për të forcuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë. Po modernizojmë komandën dhe strukturat e kontrollit dhe do të rrisim ndërveprimin dhe planifikimet e ushtrisë sonë. Marrëveshja shënon arritjen më të rëndësishme në aleancën tonë që prej krijimit të saj”, tha Joe Biden.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate, përfshirë Japoninë, kanë forcuar ushtritë e tyre përballë asaj që e shohin si një kërcënim në rritje nga Kina në Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore, dhe për të penguar çdo përpjekje të Pekinit për ta futur Tajvanin nën kontroll.
Kina e konsideron Tajvanin si territor të saj. Dy udhëheqësit u zotuan të mbështesin rendin ndërkombëtar të bazuar në sundimin e ligjit, përkundër rreziqeve që vijnë gjithashtu nga Rusia dhe Koreja e Veriut.
Në një sinjal të përshkallëzimit të tensioneve udhëheqësi koreano-verior Kim Jong Un lëshoi një paralajmërim të zymtë të enjten, duke thënë se tani ishte koha për të qenë më të përgatitur se kurrë për një luftë.
Ai e vuri theksin tek situata e ndërlikuar ndërkombëtare dhe tensionet gjeopolitike në rritje. Diktatori i Penianit është zotuar ti japë një goditje të fortë çdo kundërshtari që do të përpiqet ti sfidojë ushtarakisht.