Gjendja e sigurisë në Lindjen e Mesme është rënduar tej mase gjatë orëve të fundit, derisa raportime për shpërthime të njëpasnjëshme dhe sulme po vijnë nga mbarë rajoni.
Në Al Jahra, rreth 32 kilometra në perëndim të qytetit të Kuvajtit, pamje të verifikuara shfaqin shtëllunga tmi të zi pas rrëzimit të një mjeti fluturues luftarak. Burime të pakonfirmuara indikojnë se bëhet fjalë për një aeroplan amerikan të tipit F-15. Sakaq, Ambasada e ShBA-së në Kuvajt ka lëshuar një paralajmërim për “rrezik të vazhdueshëm nga raketat dhe dronët”, duke udhëzuar shtetasit amerikanë të kërkojnë strehim të menjëhershëm.
Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar edhe në Erbil, kryeqendrën e rajonit autonom të Kurdistanit në Irak, ku sistemet e mbrojtjes kundërajrore thuhet se janë aktivizuar për të zmbrapsur raketat dhe dronët që kishin shënjestër aeroportin ndërkombëtar.
Në Bejrut, konkretisht në rrethinën jugore të qytetit (Dahiyeh), goditjet e fundit ajrore izraelite kanë shkaktuar shkatërrime të mëdha në zona të banuara, duke lënë rrugët plotësisht të mbuluara nga rrënojat.
Ndërkohë, operimet e kompanisë Qatar Airways mbeten të pezulluara si pasojë e mbylljes totale të hapësirës ajrore të shtetit të Katarit.
Në rrafshin politik, pas ngjarjeve dramatike dhe vrasjes së liderit suprem iranian, vëzhguesit vlerësojnë se kupola në Teheran po tenton të projektojë stabilitet dhe kontroll gjatë kësaj faze kritike të tranzicionit. Sipas njohësve të rrethanave, po shqyrtohet mundësia e formimit të një këshilli udhëheqës si një alternativë kalimtare apo edhe permanente për pushtetin.
Njëkohësisht, Irani ka bërë të ditur prerazi se nuk do të pranojë asnjë lloj bisedimi me Shtetet e Bashkuara, gjë që rrit pasigurinë për gjetjen e një rruge diplomatike dhe shton frikën për një luftë të gjerë në rajon./lajmishqip.net










