Lufta e Rusisë në Ukrainë është në dimrin e tretë dhe fundi i saj nuk shihet.
Në të njëjtën kohë, udhëheqësit gjetkë në Evropë janë duke paralajmëruar publikun e tyre se duhet përgatitur për t’u konfrontuar me Rusinë.
Vetëm së fundmi, kreu i ushtrisë së Rumanisë, Gheorghita Vlad paralajmëroi tensione në Ballkanin Perëndimor nëse presidenti rus Vladimir Putin pushton Ukrainën.
Sipas tij, Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë dhe se synimi i shtetit rus do të jetë Moldavia.
“Personalisht, edhe pse jo nga aspekti i një ushtari të karrierës, mendoj se Federata Ruse nuk do të ndalet [në Ukrainë]. Nëse fiton në Ukrainë, synimi i tij kryesor do të jetë Moldavia. Ne do të shohim tensione edhe në Ballkanin Perëndimor. Jam më se i bindur se [presidenti rus, Vladimir] Putin do të përshkallëzojë politikat e tij në një të ardhme të afërt”, deklaroi shefi i ushtrisë rumune.
Paralajmërime që vendet e NATO-s mund të përballen me një konfrontim të mundshëm me Rusinë kanë qenë të shumta.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorious, paralajmëroi javë më parë se Rusia mund të sulmojë e NATO-s në më pak se një dekadë.
“Ekspertët tanë presin një periudhë prej pesë deri në tetë vjet në të cilën kjo mund të jetë e mundur”, pati thënë ai për gazetën gjermane Der Tagesspiegel.
“Ne dëgjojmë kërcënime nga Kremlini pothuajse çdo ditë, kështu që duhet të kemi parasysh që Vladimir Putin mund të sulmojë edhe një vend të NATO-s një ditë”.
Por, ministri gjerman nuk ishte i vetmi që dha këtë paralajmërim, pasi edhe një ndër zyrtarët kryesor të NATO-s dha një alarm të ngjashëm javë më parë.
Admirali Holandez, Rob Bauer, kryetar i komitetit ushtarak të NATO-s ka paralajmëruar se civilët në Perëndim duhet të përgatiten për luftë të gjithanshme me Rusinë.
Ai potencoi se gjersa tashmë forcat e armatosura po përgatiten për shpërthimin e një lufte, qytetarët duhet të jenë gjithashtu gati për një konflikt që do të kërkonte një ndryshim të rëndësishëm në jetën e tyre.
“Duhet të kuptojmë se nuk është e qartë se jemi në paqe. Dhe kjo është arsyeja pse ne [forcat e NATO-s] po përgatitemi për një konflikt me Rusinë. Por, diskutimi është shumë më i gjerë. Është gjithashtu baza industriale dhe gjithashtu njerëzit që duhet të kuptojnë se ata luajnë një rol”, pohoi ai.
Ai informoi qytetarët britanikë që të përgatiten për një luftë në shkallën e konflikteve të mëdha të shekullit të 20-të – dhe se ata vetë mund të kenë nevojë të mobilizohen, gjithashtu.
Sanders pati deklaruar se pushtimi rus i Ukrainës është një shenjë e gjërave që do të vijnë, duke paralajmëruar se mësimet e luftërave të mëparshme duhet të merren parasysh përpara se të jetë tepër vonë.
“Paraardhësit tanë nuk arritën t’i perceptojnë implikimet e të ashtuquajturës Kriza e korrikut në vitin 1914 dhe u përballen me luftërat më të kobshme”, tha ai. “Ne nuk mund të lejojmë të bëjmë të njëjtin gabim sot. Ukraina ka vërtet rëndësi”. /Telegrafi