Alarmi i kuq për ekonominë e Kosovës: inflacioni kap majat dhe godet rëndë shportën e qytetarëve

3 minutes, 7 seconds Read

Një valë e pamëshirshme shtrenjtimesh gjatë muajve të fundit po e shtrydh në maksimum fuqinë blerëse të qytetarëve të Kosovës. Kjo furisë e çmimeve ka kapërcyer edhe parashikimet më pesimiste të institucioneve ndërkombëtare, duke e çuar normën vjetore të inflacionit në një rekord prej 6.7 për qind për muajin mars të vitit 2026.

Ky përshkallëzim dramatik i faturës së jetesës lë pas shifrat tashmë alarmante të fillimvitit, ku inflacioni u regjistrua në 5.8 për qind në janar dhe 6.0 për qind në shkurt. Dinamika e re dëshmon një rëndim të vazhdueshëm që po e bën përditshmërinë e familjeve kosovare gjithnjë e më të papërballueshme.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

Rritja e kostove nuk mbetet vetëm një barrë e nivelit vjetor. Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vetëm në kalimin nga shkurti në mars të vitit 2026, tregu ka pësuar një shtrenjtim shtesë prej 1.5 për qind, duke goditur buxhetet familjare në kohë rekord.

Shtrenjtimi i shërbimeve bazë dhe goditja te produktet ushqimore

Të dhënat e sapopublikuara nga ASK tregojnë se goditjet më të ashpra po prekin drejtpërdrejt shërbimet bazike të amvisërive. Energjia elektrike është shtrenjtuar me 17.4 për qind krahasuar me marsin e kaluar, ndërsa lëndët djegëse si drutë dhe peleti shënuan rritje prej 15.6 për qind.

Një rritje akoma më goditëse është shënuar te furnizimi me ujë dhe shërbimet e lidhura me vendbanimin, të cilat u shtrenjtuan me plot 31.9 për qind. Paralelisht, as shporta bazë ushqimore nuk ka mbetur pas; pemët janë shtrenjtuar me 13.1 për qind dhe mishi me 12.4 për qind brenda vitit.

Luhatje serioze vërehen edhe në sektorin e transportit. Vetëm gjatë marsit 2026, karburantet u ngritën me 25.8 për qind krahasuar me muajin paraprak. Kjo ka sjellë një efekt zinxhir, ku biletat e fluturimeve shënuan kërcim vjetor prej 38.4 për qind dhe shërbimet e transportit personal arritën në 42.5 për qind.

“Inflacion i importuar” apo krizë e brendshme?

Përballë këtij presioni sfidues, ekzekutivi i është referuar faktorëve të jashtëm si shkaktarë kryesorë. Kryeministri Albin Kurti ka pretenduar se kjo rritje është kryekëput një “inflacion i importuar”, si pasojë e vonesave në transportin e naftës nëpër ngushticat ndërkombëtare.

Megjithatë, realiteti statistikor tregon se Kosova po përballej me këtë inflacion të ashpër shumë muaj para bllokimit të Ngushticës së Hormuzit. Për më tepër, të dhënat dëshmojnë se Kosova sot ka një ritëm inflacioni gati dyfish deri në trefish më të lartë se shtetet fqinje dhe ato të Bashkimit Evropian.

Paralajmërimi i FMN-së: rritja ekonomike po ngadalësohet

Në raportin e tij të fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) konstatoi se në Kosovë aktiviteti ekonomik po ngadalësohet ndërsa presionet mbi çmimet po intensifikohen. FMN ia atribuoi këtë situatë edhe bllokadës politike njëvjeçare që ka përfshirë vendin tonë.

Rritja reale ekonomike ka rënë në 3.6 për qind në vitin 2025, ndërsa për vitin 2026 parashihet të zbresë në vetëm 3.3 për qind. Sipas ekspertëve, ky frenim lidhet me eksportet e dobëta dhe kërkesën e zbutur private, ndërkohë që barrën kryesore po e mban artificialisht konsumi dhe investimet publike.

Parashikimet mbeten të zymta; FMN pret që inflacioni të qëndrojë i lartë gjatë gjithë vitit 2026. Kthimi gradual drejt objektivit të stabilitetit prej 2 për qind pritet të ndodhë vetëm rreth mesit të vitit 2028, duke lënë qytetarët në një pasiguri të gjatë financiare. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme