Një grup kongresmenësh amerikanë, të udhëhequr nga Michael R. Turner, i kanë dërguar një letër zyrtare Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, përmes së cilës shprehin shqetësimin e tyre të thellë lidhur me raportimet se administrata Trump po konsideron reduktimin e pranisë ushtarake amerikane brenda misionit të KFOR-it.
Sipas vlerësimit të këtyre ligjvënësve, një lëvizje e tillë do të vinte në rrezik serioz stabilitetin e Kosovës dhe do të kishte pasoja zinxhir në të gjithë rajonin.
“Në një periudhë të brishtësisë së shtuar politike dhe rritjes së ndikimeve dashakeqe në Ballkanin Perëndimor, pakësimi i pranisë amerikane rrezikon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin më gjerë, veçanërisht Bosnjë-Hercegovinën. Ju bëjmë thirrje të ruani nivelin aktual të forcave për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së në këtë rajon”, thuhet në letrën e tyre drejtuar Departamentit të Shtetit.
Kongresmenët nënvizojnë se çdo reduktim i personelit ushtarak amerikan do të prodhonte pasoja të rënda. Sipas tyre, kjo jo vetëm që do të dëmtonte kapacitetet operacionale të forcës paqeruajtëse, por do të dobësonte ndjeshëm edhe rolin e KFOR-it si një faktor kyç politik parandalues për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë./lajmishqip.net









