Kampioni i xhudos, Akil Gjakova, është duke u kërkuar nga Policia e Kosovës për një rast të paraqitur për “dhunë në familje”. Të shtunën në stacionin policor në Pejë, partnerja e Gjakovës me të cilën është në procedurë shkurorëzimi, e ka paraqitur rastin. Vetë Gjakova, në një letër publike të shtunën në mbrëmje, ka mohuar akuzat duke thënë se do të paraqitet në polici sapo të kthehet në Kosovë, pasi ka thënë se është jashtë vendit.
“Prokurori i shtetit ka pranuar një procesverbal të një kontesti civil nga gjyqtari dhe është njoftuar nga avokatja e palës së dëmtuar se ka elemente të veprës penale të dhunës në familje. Menjëherë është autorizuar Policia e Kosovës nga Prokurori i shtetit për arrestimin e të dyshuarit dhe marrjen e masave ligjore ndaj tij”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.
Policia e Kosovës nuk e ka konfirmuar rastin zyrtarisht.
E, Xhudisti Akil Gjakova ka mohuar pretendimet për dhunë në familje. Ai ka thënë se nuk ka kryer krim, si dhe është shprehur se nuk do ta shmangë drejtësinë. Gjakova ka thënë se nuk është në Kosovë dhe sapo të kthehet do të paraqitet në polici pas pretendimeve se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes.
“Pasi kuptova permes mediave se policia është urdhëruar të më shoqërojë në stacion si rezultat i një akuze për të cilën nuk e di arsyen dhe përmbajtjen, dua të theksoj se nuk kam kryer asnjë krim, veçanërisht kundër bashkëshortes sime. Megjithatë, pasi jam aktualisht jashtë Kosovës dhe nuk mund të kthehem, i siguroj të gjithëve se nuk do të shmang drejtësinë. Nuk jam person i dhunshëm, dhe nuk kam shkaktuar dëme. Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjet e paraqitura në fotot e qarkulluara në media, dhe kjo shpejt do të provohet”, ka thënë Akil Gjakova në një letër publike. “Pas kthimit tim në Kosovë, do të paraqitem në polici dhe do të kontribuoj plotësisht në hedhjen e dritës mbi faktet që ata ose çdo institucion tjetër mund të kenë interes për to. Edhe pse jam pjesë e rrethanave dhe zhvillimeve të padrejta në të cilat jam përfshirë pa faj, familja ime mbetet e shenjtë për mua. Fëmija im është thesari më i çmuar që kam, dhe do të përmbahem nga komentimi i jetës sonë private në publik”.
Gjakova ka kërkuar po ashtu mirëkuptim duke thënë se nuk janë të vërteta ato që janë lexuar të shtunën. Ka shtuar po ashtu se nuk është i gatshëm që çështjet familjare t’i shfaqen në rrjete sociale.