Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar për herë të parë pas masës së sigurisë të vendosur nga GJKKO.
Në një postim të gjatë, ajo shpjegon se ka marrë vesh për akuzat në të njëjtën kohë me publikun, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Sipas saj, vonesa në reagim lidhet me faktin se vetëm një ditë para paraqitjes në gjykatë kishte marrë akt-akuzën, në të cilën përmendet një shumë e konsiderueshme prej 800 mijë eurosh për fustane dhe bizhuteri.
Xoxa mohon akuzat e ngritura nga SPAK dhe deklaron se do të ndjekë çështjen në Gjykatën e Strasburgut për të vërtetuar pafajësinë e saj. Ajo e quan këtë situatë një “bllof të dhunshëm” dhe shprehet se ka qenë subjekt i një lincimi mediatik.
Gjatë seancës në GJKKO më 11 shkurt, Xoxa deklaroi se shifra e përmendur në akt-akuzë ishte e pavërtetë dhe se ekspertët kontabël kanë verifikuar të gjitha transaksionet e saj bankare nga viti 2015 deri në 2025. Sipas saj, shpenzimet e saj online për veshje, kozmetikë dhe aksesorë arrijnë në një total prej 75,025 euro, shumë larg akuzave të bëra.
Ajo thekson se të ardhurat e saj janë të deklaruara dhe publike, duke përmendur eksperiencën e saj si avokate prej 17 vjetësh dhe si drejtuese e projekteve artistike dhe vizuale. Gjithashtu, Xoxa shprehet se vjen nga një familje me mundësi financiare të mira dhe se gjithçka që ka është e fituar me punë dhe përkushtim.
Në fund të reagimit të saj, ajo dënon atë që e quan “mizori juridike dhe mediatike” dhe shprehet e tronditur nga mënyra se si është trajtuar çështja e saj në publik.