Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili në një konferencë për media tha se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte synuar të formonte koalicion vetëm me LDK-në dhe Nismën Socialdemokrate.
Kurti theksoi se kishte besuar në mundësinë e bashkëpunimit me udhëheqjen e re të LDK-së, duke kujtuar se Abdixhiku kishte qenë ministër në qeverinë e tij të parë.
“Kam pasur takime dhe kam synuar bashkëpunim vetëm me Lidhjen Demokratike dhe me Nismën Socialdemokrate. Me udhëheqjen e re të LDK-së besoja se mund të krijonim një koalicion. Kryetarin e ri, në vitin 2021, e kam uruar personalisht. Ai ka qenë ministër në qeverinë time dhe kam besuar se do të bashkëpunonim. Ndërsa partia tjetër që kam synuar të përfshij në koalicion udhëhiqet nga zoti Limaj, që doli nga AAK-ja. Me këto dy parti kam synuar, jo me të tjerat,” tha Kurti, duke e quajtur qëndrimin e LDK-së pas zgjedhjeve “të pakuptimtë”.
Menjëherë pas kësaj deklarate, Abdixhiku reagoi përmes një postimi në rrjete sociale, duke e akuzuar Kurtin për bllokim të shtetit, shkelje të Kushtetutës dhe përçarje të shoqërisë.
Sipas tij, bëhet fjalë për “një njeri që për tetë muaj mban peng shtetin duke thënë se i ka votat, por s’e lënë; që 48 herë ka shkelur Kushtetutën dhe vazhdon të mburret me këtë; që uzurpon institucionet, nuk respekton gjykatat, mbron të korruptuarit e vet, përçan politikën dhe ofendon qytetarët e vendit të vet”.
Abdixhiku shtoi se Kurti “nuk kupton çfarë do të thotë parim dhe dinjitet në politikë, as madhështinë që përfaqëson LDK”.
“LDK-në mund ta sulmoni dhe ta ofendoni, por vetëm kaq. Më shumë s’keni mundësi. LDK po ecën në rrugën e vet, për vete dhe për Republikën që e krijoi,” përfundoi Abdixhiku, duke e mbyllur reagimin me mesazhin: “LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë! Dritë do të ketë!”. /lajmishqip.net
