A ishte pjesë e strukturave të sigurisë serbe dëshmitari i Prokurorisë Speciale kundër Thaçit?

1 minute, 49 seconds Read

Në seancën e sotme të gjykimit ndaj ish presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve ka vazhduar dëshminë e tij dëshmitari i 21-të (me kodin 0418), Agim Idrizi i cili edhe sot ka folur pa masa mbrojtëse, raporton Gazeta10.

Zyra e prokurorit ka pyetur dëshmitarin në lidhje me një dokument që ka prezantuar prokurori në të cilin ishte dhe emri i tij.

Prokurori ka pyetur Idrizin nëse ai e di se çfarë do të thoshte termi siguria lokale në Kaçanik. Idrizi u përgjigj që nuk ka dëgjuar për këtë dokument dhe listë.

Prokurori ka pyetur tutje Idrizin se a ka qenë i regjistruar në këtë listë. Idrizi ka thënë se nuk ka qenë askund i regjistruar dhe se nuk ka qenë pjesë e asnjë liste.

Në një dokument që ka siguruar Gazeta 10, figuron emri i tij por që redaksia jonë nuk ka arritur që në mënyrë të pavarur të verifikoj nëse po flasim për të njëjtin person me atë të dëshmitarit të Prokurorisë Speciale në Hagë.

Sot dëshmitari i Prokurorisë Speciale, Agim Idrizi para prokurorisë speciale ka mohuar kategorikisht që nuk ka qenë polic apo roje pylli.

“Nëse dikush mundet me gjetë emrin tim që kam punuar polic qysh po shkruan këtu në dokumente ai është hasmi im më i madhi që ka shkru emrin tim për polic apo roje pylli, këto nuk janë të vërteta, mundemi me pyet në Kaçanik, atje e dijnë më mirë”, ka deklaruar Idrizi.

“Besën e shqiptarit po ua jap që kam me dal me u vjerr para gjyqit, veq nëse sjam kush ka me dhanë përgjegjësi për jetën teme se unë nuk kam qenë as roje pylli dhe as polic”, ka pyetur Idrizi.

Ai tha tutje se e di se kush e ka shti në listë dhe për çfarë e ka shti. “Unë kam qenë dëmtues i pyllit dhe jo roje. “ Sa interesant”, ka thënë Idrizi duke e akuzuar një person që i referohet si “hasëm”, që siç tha ia ka bërë këtë.

Publikime te ngjashme