Bilanci pas stuhisë shkatërruese: Dhjetë të lënduar, mbi 100 makina të dëmtuara dhe goditje ndaj institucioneve shtetërore

1 minute, 57 seconds Read

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se zyrtarët policorë ndodhen vazhdimisht në terren dhe po ndërhyjnë sipas të gjitha raportimeve për pasojat e stuhisë së fuqishme, në koordinim të plotë me organet e tjera kompetente. Nga MPB-ja u bë e ditur se operacionet po vijojnë me intensitet për të garantuar sigurinë publike, sanimin e dëmeve dhe normalizimin e qarkullimit rrugor e shërbimeve publike.

Dëmet më të mëdha materiale dhe fizike u regjistruan në rajonin e Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup. Deri në orën 22:00 të mbrëmjes së djeshme, u konfirmuan 117 automjete udhëtarësh të dëmtuara, 35 çati të shkatërruara, 189 pemë të rrëzuara, shtatë semaforë jashtë funksionit, pesë vatra zjarri si dhe 10 qytetarë të lënduar.

Design Plus Carousel Ad

“Stuhia shkaktoi dëme serioze edhe në disa institucione shtetërore dhe objekte të një rëndësie të veçantë. Dëmtime u evidentuan në objektet e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në kompleksin ‘Vilat e Vodnos’, Bazin Policore të Aeroportit të Petrovecit, ndërtesën ‘Nova Makedonija’, si dhe në ambientet e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Prokurorisë Publike.”

“Në Kumanovë u raportuan nëntë automjete të dëmtuara dhe tre çati të dëmtuara, ndërsa pesë raste u regjistruan në zonën e SPB Tetovë – tre automjete të dëmtuara dhe dy struktura çatie të dëmtuara. Në Gostivar nuk u raportuan dëme ose persona të lënduar.”

“Në zonën e SPB Veles u regjistruan dy automjete të dëmtuara për shkak të pemëve të rrëzuara, ndërsa në Shtip u raportuan 14 makina të dëmtuara dhe gjashtë çati të dëmtuara.”

“Në Strumicë, erërat e forta rrëzuan shtylla elektrike në fshatrat Dobroshinci dhe Gradosorci, gjë që shkaktoi edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në fshatin Svidovicë.”

“Nuk u regjistruan pasoja të mëdha në rajonin e Manastirit, përveç një ere të fortë afatshkurtër në zonën e Makedonski Brod, pa dëme materiale”, njoftuan zyrtarisht nga MPB-ja.

Në përmbyllje, Ministria e Punëve të Brendshme potencoi se njësitë policore mbeten në gatishmëri të plotë në terren për sanimin e pasojave dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme